Sot tërhiqet shorti për renditjen e subjekteve politike në fletëvotim
Sot në orën 14:00 do të mbahet ceremonia e tërheqjes së numrave për renditjen e subjekteve politike në fletëvotimin e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 28 dhjetor.
Ky aktivitet i KQZ-së ishte planifikuar një ditë më vonë, më 8 dhjetor, por të shtunën institucioni i zgjedhjeve ndryshoi datën.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, për portalin rtv21.tv ka konfirmuar se nga mbledhja e këtij institucioni sipas vendimit të ri të KQZ-së, ceremonia për tërheqja e shortit, e paraparë të bëhet më 8 dhjetor, do të mbahet një ditë më herët, më 7 dhjetor 2025.
“KQZ ka marrë vendim për ndryshimin e vendimit për caktimin e afateve kohore të aktiviteteve për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës. Sipas vendimit të ri të KQZ-së, tërheqja e shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotimin e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, e paraparë të mbahet më 8 dhjetor, do të mbahet një ditë më herët, më 7 dhjetor 2025”, sqaroi Elezi.
Sipas tij, “ky ndryshim synon të mundësojë miratimin më të hershëm të dizajnit dhe përmbajtjes së fletëvotimit, si dhe fillimin me kohë të procesit të shtypjes së tyre. Po ashtu, vendimi krijon hapësirë shtesë kohore për përgatitjet e nevojshme lidhur me fillimin e votimit me postë për votuesit jashtë Kosovës që kanë përzgjedhur këtë mënyrë votimi”.
Sipas KQZ-së, ceremonia e tërheqjes së shortit do të mbahet të dielën, me fillim në ora 14:00 dhe për këtë janë ftuar përfaqësuesit e subjekteve politike.









