Moti…🇦🇱 SQ🇬🇧 EN🔎 Kërko
RTV21
BallinaKosova
🇽🇰 Kosova

Stoltenberg shprehet i gatshëm për t’u takuar me Vuçiqin: Jemi të shqetësuar për tensionet e shtuara në Kosovë

nga B G11 korrik 2023
Stoltenberg shprehet i gatshëm për t’u takuar me Vuçiqin: Jemi të shqetësuar për tensionet e shtuara në Kosovë

(Lajm i përditësuar)


Stoltenberg shprehet i gatshëm për t’u takuar me Vuçiqin: Jemi të shqetësuar për tensionet e shtuara në Kosovë

Sekretari i NATO-s, Jens Stoltenberg, është shprehur i gatshëm të takohet me presidentin serb, Aleksandr Vuçiq, pasi siç ka thënë ai, është i shqetësuar për tensionet e shtuara në Kosovë.

Këto deklarata Stoltenberg i bëri para fillimit të Samitit të NATO-s në Vilnius, ku theksoi se kanë shtuar forcat e KFOR-it për të garantuar siguri dhe stabilitet për Kosovën,

“Jam në kontakt të rregullt me presidentin Aleksandar Vuçiq dhe sigurisht jam gati të takohem, jemi të shqetësuar për tensionet e shtuara në Kosovë dhe u bëjmë thirrje palëve për depërshkallëzim dhe të përmbahen nga çdo veprim që mund të rrisë më tej tensionet në rajon. NATO është e pranishme në Kosovë, ne kemi forcat e KFOR-it që janë atje për të garantuar siguri dhe stabilitet për Kosovën dhe njerëzit që jetojnë në Kosovë. Ne e kryejmë mandatin tonë të OKB-së në mënyrë të paanshme dhe NATO e ka rritur praninë e saj në Kosovë, ku shtoi rreth qindra trupa shtesë të KFOR-it për shkak të paqëndrueshmërisë, dhunës dhe tensionit që kemi parë javët e fundit”, tha ai.

Kujtojmë se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, para disa ditësh se do të kërkojë takim me Stoltenbergun pas samitit të NATO-s në Vilnius, dhe më pas, një seancë urgjente të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (OKB) për shkak të situatës në Kosovë.


Stoltenberg: Ukraina do të marrë mesazh pozitiv për anëtarësim në NATO

Kreu i NATO-s  ka thënë se anëtarët e aleancës ushtarake do të “dërgojnë një mesazh shumë të fortë dhe pozitiv nga NATO në Ukrainë” në samitin e Vilniusit.

Duke folur në Vilnius këtë mëngjes, Jens Stoltenberg thotë se Ukraina ka bërë një rrugë të gjatë që nga viti 2008, kur NATO fillimisht ra dakord që Ukraina “do” të bëhet anëtare e aleancës në një moment, përcjell portali rtv21.tv

“Ukraina është shumë më afër NATO-s, kështu që mendoj se ka ardhur koha për ta reflektuar këtë në vendimet e NATO-s,” thotë ai.

NATO është e ndarë për ofertën e anëtarësimit të Ukrainës – shtetet e Evropës Lindore duan që Kievi të bashkohet si një anëtar i plotë, ndërsa të tjerët janë më të kujdesshëm pasi kanë frikë se do të tërhiqen në një konflikt të drejtpërdrejtë me Rusinë. Në secilin rast, Kievi pranon se nuk mund të bashkohet gjatë luftës.


Udhëheqësit e NATO-s mblidhen për samitin në Vilnius, Kosova jashtë agjendës

Udhëheqësit e aleancës ushtarake të NATO-s mblidhen sot dhe nesër në Vilnius të Lituanisë.

Samiti zhvillohet në një kohë kritike për sigurinë në Evropë, pasi lufta në Ukrainë është në mesin e një kundërofensive të Kievit.

Samiti vjen, gjithashtu, një vit pas takimit të Madridit, ku aleatët e NATO-s kanë rënë dakord për një koncept të ri strategjik, i cili e ka veçuar Rusinë si kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë.

Udhëheqësit e vendeve anëtare të organizatës më të madhe ushtarake në botë pritet të diskutojnë për një gamë të gjerë temash, në mesin e të cilave do të dominojnë përpjekjet e Ukrainës për t’u anëtarësuar në NATO, si dhe pranimi i Suedisë në aleancë.
Gjatë samitit nuk pritet që Ukrainës t’i bëhet ftesë për anëtarësim, gjë që, sipas procedurave të NATO-s, është hapi i parë drejt anëtarësimit të plotë.

Këtë e ka konfirmuar tashmë sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili ka thënë se një gjë e tillë nuk mund të ndodhë derisa lufta në këtë vend vazhdon.

Pritjet janë që aleatët të shfaqin disa mospajtime se si t’i qasen këtij problemi në deklaratën përfundimtare.

Vendet e Evropës Lindore besojnë se Ukrainës duhet t’i ofrohet një udhërrëfyes, ndërsa ato perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Gjermaninë, janë më të kujdesshme sa u përket veprimeve që do të mund ta sillnin aleancën më afër luftës me Rusinë.
Mbretëria e Bashkuar ka dalë me propozimin që Ukrainës t’i lejohet ta kapërcejë programin e të ashtuquajturit Plan i Veprimit për Anëtarësim, i cili përfshin reforma politike, ekonomike dhe ushtarake, që çdo vend kandidat duhet t’i përmbushë përpara anëtarësimit të plotë.

Përveç perspektivës së anëtarësimit, liderët e NATO-s pritet gjithashtu të zotohen për ndihmë të vazhdueshme ushtarake dhe financiare për Kievin.

Drita jeshile për Suedinë

Tema e Suedisë, praktikisht, ka përfunduar më 10 korrik, një natë përpara samitit të aleancës, kur presidenti turk, Recep Tayip Erdogan, ka pranuar që t’ia përcjellë Parlamentit të vendit të tij kandidaturën e Suedisë për anëtarësim në NATO.

Suedia – ashtu si edhe Finlanda – ka qenë tradicionalisht vend neutral sa u përket aleancave ushtarake, por ajo ka kërkuar pranimin në aleancë pas nisjes së agresionit rus në Ukrainë, më 24 shkurt të vitit të kaluar.

Finlanda është bërë anëtare e plotë e NATO-s në prill të këtij viti.
Ndonëse të dyja vendet kanë kërkuar njëkohësisht pranimin, Turqia e ka bllokuar deri më tash procesin e anëtarësimit për Suedinë, duke pretenduar se ky vend strehon anëtarë të grupeve militante, që Ankaraja i konsideron terroriste.

Në takimin që Stolteberg ka organizuar më 10 korrik me presidentin e Turqisë dhe kryeministrin e Suedisë, Erdogan ka pranuar që ta heqë veton, duke hapur mundësinë që Suedia të bëhet anëtare e NATO-s.

Anëtarësimi i plotë do të ndodhë kur të gjitha vendet ta ratifikojnë protokollin e pranimit.

Kosova jashtë agjendës

Në samit nuk pritet të diskutohet fare për Kosovën, pavarësisht rritjes së tensioneve në veriun e vendit të banuar me shumicë serbe.

Trazirat e fundit atje kanë çuar në sulme të protestuesve serbë kundër ushtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë – KFOR, por, megjithatë, Kosova është jashtë agjendës zyrtare të diskutimeve.

Masa të rrepta për sigurinë
Për mikpritësen e samitit të NATO-s, Lituaninë, kjo ngjarje është më e madhja në historinë e këtij vendi.

Për sigurinë janë angazhuar tri njësi kundërajrore gjermane, Patriot, ashtu si edhe avionë shtesë luftarakë.
Gjithashtu, mbi 1.000 ushtarë nga vende të ndryshme të NATO-s do të kujdesen për sigurinë.

Lituania kufizohet me rajonin rus të Kaliningradit në jugperëndim, si dhe me Bjellorusinë – aleate e Rusisë – në lindje dhe në jug./rel

NDIQNI PJESËT MË INTERESANTE TË PROGRAMIT TË RTV21, DUKE BËRË LIKE KËTË FAQE – 21 MEDIA

Ronaldo ndjek historinë, Anglia sfidon Kroacinë në Kupën e Botës
LAJMI TJETËR →
Ronaldo ndjek historinë, Anglia sfidon Kroacinë në Kupën e Botës

Më të fundit

Të gjitha →