Sulm me të shtëna në Francë, vritet një polic, sulmuesi qëllohet për vdekje
Nje policë është vrarë, ndërsa dy të tjerë kanë pësuar plagë të rënda si pasojë e sulmit me armë zjarri në Shamp Elize në Francë, ndërsa sulmuesi është vrarë nga pjesëtarët e policisë, raportuan mediat nderkombëtare.
Sulmuesi ndali automjetin e tij afër një kombi të policisë dhe hapi zjarr në drejtim të policëve.
Pak kohë pas incidentit, Presidenti i Francës, Fransoa Holland thirri një takim urgjent të kabinetit të tij, pas të cilit konfirmoi se është i bindur se bëhet fjalë për një sulm terrorist dhe shtoi se në mëngjes do të zhvilloi një takim me shërbimet e sigurisë.
“Do të nderojmë me nderime kombëtare policin, i cili u vra në mënyrë qyqare. Është qëlluar edhe një kalimtar, ndërsa sulmuesi është vrarë nga pjesëtarët tjerë të policisë. I tërë rajoni është bllokuar, ndërsa qytetarët janë evakuuar”, tha Holland, i cili kërkoi gjithashtu edhe shtyerjen e rrethit të parë të zgjedhjeve presidenciale, i cili është paraparë të zhvillohet të dielën, shkruan rtv21.tv.
Siç raportoi BBC, përgjegjësinë për sulmin në Paris e mori përsipër Shteti Islamik, duke kumtuar se sulmi në kryeqytetin e Francës është ndërmarrë nga një luftëtar i kësaj organizate.
Zëdhënësi i ministrisë së Brendshme të Francës, Pjer Henri Brande, mohoi raportet e mëhershme të agjencive të lajmeve se është vrarë edhe një polic i dytë dhe se ka pasur edhe një incident tjetër me të shtëna në Paris. Ai gjithashtu konfirmoi se sulmuesi u vra, kur tentoi te arratisej nga vendi i ngjarjes.
Njëkohësisht, është lëshuar urdhri për arrestimin e një personi të dytë, për të cilin besohet se ka qenë i përfshirë në sulm dhe për të cilin besohet se në Francë kishte shkuar me tren nga Belgjika. Disa media ndërkombëtare publikuan fotografinë e të dyshuarit, për të cilin thuhet se quhet Jusuf Al Osri. Sipas burimeve të policisë franceze, policia belge kishte njoftuar sot kolegët e tyre francezë se Al Osri ishte nisur nga Belgjika për në Paris./21Media








