Sveçla: Ambiciet territoriale të Serbisë për Kosovën përbëjnë problem serioz për rajonin
Ambiciet territoriale të Serbisë për Kosovën vazhdojnë të përbëjnë problem për vendin, por edhe për rajonin, kështu tha Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla.
Këtë Sveçla e tha gjatë takimit që pati me shefen e operacioneve aktuale, Divizioni për Operacione i Shtabit të Përgjithshëm të NATO-s, Ariella Viehe.
Tutje, Sveçla ka thënë se kanë diskutuar edhe për bashkëveprim më të mirë e të vazhdueshëm mes KFOR-it dhe Policisë së Kosovës.
“Biseduam mbi situatën aktuale të sigurisë në Kosovë, veçanërisht në veriun e Kosovës. Sulmet e njëpasnjëshme viteve të fundit ndaj institucioneve tona dhe zyrtarëve tanë në veriun e Kosovës si dhe sulmi terrorist i 24 shtatorit ishin çështjet e rëndësishme për të cilat biseduam me znj. Viehe, poashtu edhe për bashkëpunimin dhe bashkëveprimin e mirë e të vazhdueshëm mes KFOR dhe Policisë së Kosovës. Me këtë rast, u dakorduam për bashkëpunim të mëtejmë të institucioneve tona dhe misionit të KFOR. Kërcënimet e vazhdueshme të Serbisë dhe ambiciet e saj territoriale për Kosovën vazhdojnë të përbëjnë problem serioz për Kosovën por edhe të rajonit”, ka shkruar Sveçla në Facebook./21Media











