Në javën e dytë të shtatorit pritet të mbahet takimi i radhës në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.
Këtë e konfirmoi për rtv21.tv Përparim Kryeziu, zëdhënës i Qeverisë së Kosovës.
Kryeziu tha se ende nuk është përcaktuar agjenda për takimet në të cilat do të marr pjesë zëvëndëskryeministri Besnik Bislimi.
“Takimet e radhës bilaterale dhe trilaterale në kuadër të procesit të dialogut, në të cilat do të marrë pjesë zëvendëskryeministri Bislimi, priten të mbahen gjatë javës së dytë të shtatorit. Për temat dhe agjendën e takimit, të cilat nuk janë konfirmuar ende, do të ju njoftojmë me kohë”, tha Kryeziu.
Dje, përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka njoftuar se kanë nisur përgatitjet për takimin e radhës në nivel kryenegociatorësh.
“Sot, kam pasur diskutime thelbësore të veçanta me Zëvendëskryeministrin e Parë të Kosovës, Besnik Bislimi, dhe me Drejtorin e zyrës serbe për Kosovën, Petar Petkoviq, në lidhje me përgatitjet për takimin e ardhshëm të dialogut në nivel kryenegociatorësh në fillim të shtatorit”, ka shkruar Lajçaku në Twitter./21Media










