Një javë e re transferimesh nis me një lëvizje të madhe nga Milano. Fillimi zyrtar i sezonit 2025/2026 për Milanin e Massimiliano Allegrit shënon edhe fundin e epopesë kuqezi të Theo Hernandez. Mbrojtësi francez, një nga figurat kryesore të viteve të fundit, mungoi në grumbullimin e sotëm në Milanello, pasi është shumë pranë transferimit te Al-Hilal.
Saktësisht gjashtë vjet pas mbërritjes së tij nga Real Madridi, aventura italiane e Theos po përfundon. Me Al-Hilal, klubin saudit që drejtohet nga Simone Inzaghi dhe është në garë për Kupën e Botës për Klube në SHBA, palët kanë finalizuar detajet e fundit të një marrëveshjeje që kishte marrë formë që prej javëve të kaluara.
Pasi kapërceu hezitimet e para të treguara në qershor, Theo Hernandez pritet të udhëtojë drejt Riadit në ditët në vijim për të kryer kontrollet mjekësore dhe për të firmosur një kontratë me vlerë rreth 20 milionë euro në sezon. Milani do të përfitojë 25 milionë euro nga shitja e përhershme e mbrojtësit të lindur në vitin 1997, i cili ka zhvilluar 262 ndeshje dhe ka shënuar 34 gola – duke u bërë mbrojtësi më produktiv në historinë e klubit. Me Milanin, Theo fitoi një Scudetto dhe një Superkupë Italiane.
Tani, drejtori i ri sportiv Igli Tare është përballë detyrës për të gjetur një zëvendësues të denjë. Pistat janë të shumta, por një nga më të përfolurat, ajo e De Cuyper, është shuar pasi lojtari ka finalizuar kalimin te Brighton. Ndër alternativat e fundit është emri i Archibald Brown, mbrojtës i ri i Gent-it, i lindur në vitin 2002, i cili ka spikatur në kampionatin belg./kp










