Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Donald Trump, deklaroi sot se homologu i tij rus Vladimir Putin, do të “donte” që ai të merrte pjesë në bisedimet e ardhshme për paqe me Ukrainën në Stamboll, duke lënë të hapur mundësinë e pjesëmarrjes së tij.
“Nuk e di nëse ai do të shfaqet. E di që ai do të donte që unë të isha atje. Dhe kjo është një mundësi”, u tha presidenti amerikan gazetarëve në bordin e Air Force One.
“Kam menduar për këtë. Tani nesër, jemi tërësisht të zënë, e kuptoni këtë. Po shkojmë në Emiratet e Bashkuara nesër. Pra, kemi një situatë shumë të ngarkuar. Por kjo nuk do të thotë se nuk do ta bëja nëse do të shpëtonim shumë jetë dhe të kthehesha. Por po, kam menduar për këtë. Nuk e di nëse ai do të ishte atje nëse unë nuk jam. Do ta zbulojmë”, shtoi Trump.
I pyetur se si po i trajton Putin përpjekjet për t’i dhënë fund luftës së Kremlinit në Ukrainë, Trump tha: “Nuk e di. Do t’ju tregoj për një javë. Do t’ju tregoj për disa ditë”.
Më vonë, gjatë një deklarate në Katar, Trump tha se mendon se “po vijnë disa lajme mjaft të mira nga atje sot dhe ndoshta nesër dhe ndoshta të premten, por do të shohim për këtë”.
Trump ndodhet aktualisht në Katar, në ndalesën e dytë të një turneu në Lindjen e Mesme që do ta çojë atë në Emiratet e Bashkuara të enjten, në të njëjtën ditë kur janë planifikuar të mbahen bisedimet për paqe në Stamboll, transmeton KosovaPress.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, konfirmoi të mërkurën se delegacioni rus do të presë homologët ukrainas në Stamboll për të rifilluar bisedimet e paqes të ndërprera në mars të vitit dymijë e njëzet e dy, por tha se Putin ende nuk ka vendosur se kush do ta përfaqësojë Moskën, raporton Anadollu.










