UEFA kundërshton ashpër planet e FIFA-s për shitjen e Kupës së Botës te investitorët privatë
UEFA ka ngritur zërin kundër planit ambicioz dhe të diskutueshëm të FIFA-s për të shitur pjesë të Kupës së Botës te investitorët privatë.
Ky propozim, i bërë publik vetëm nëntë ditë pas përfundimit të finales së turneut, ka shkaktuar reagime të forta në skenën e futbollit ndërkombëtar.
Në qendër të këtij konflikti qëndron një afat kohor i vendosur nga FIFA: federatat anëtare kanë kohë deri më 19 shtator për të vendosur nëse do të pranojnë një pagesë fillestare prej 20 milionë dollarësh. Pranimi i kësaj shume do të konsiderohet automatikisht si miratim i skemës së re të privatizimit.
Pavarësisht kundërshtimeve, pozita e presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, mbetet tejet e fortë. Mbi 200 nga 211 anëtarët e FIFA-s raportohet se tashmë kanë mbështetur kandidaturën e tij për rizgjedhje vitin e ardhshëm.
Situata komplikohet më tej nga statutet e FIFA-s, të cilat detyrojnë anëtarët të marrin pjesë në kompeticionet e saj, duke e bërë një bojkot të mundshëm një opsion tejet të vështirë për t’u realizuar. Ndërkohë, federatat evropiane paraqiten të ndara në qëndrimet e tyre:
Gjermania, identifikohet si një ndër vendet kryesore që po bën rezistencë ndaj planit.
Federata Angleze kishte ofruar më parë mbështetjen për FIFA-n, në kuadër të përpjekjeve për të siguruar organizimin e Kupës së Botës për femra në vitin 2035.
Presidenti i Federatës Finlandeze, Ari Lahti, deklaroi në qershor se vendi i tij nuk synon të krijojë përplasje apo të refuzojë mbështetjen ndaj Infantinos.





