(Lajm i përditësuar)
Varroset Papa Françesku
Trupi i Papa Françeskut është varrosur të shtunën në Bazilikën e Shën Marisë së madhe në Romë, ku në ceremoni morën pjesë të paktën 400 mijë njerëz, përfshirë liderë të ndryshëm botërorë.
Raportohet se në ceremoni morën pjesë edhe presidentja Vjosa Osmani e kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
Françesku ka thyer traditën 100-vjeçare të varrimit të papëve. Ai kërkoi që të varroset në “Shën Marinë e madhe” në vend të bazilikës së Shën Pjetrit.
Papa Françesku vdiq të hënën në moshën 88-vjeçare.
Arkivoli i Papës mbërrin në kishën ku do të varroset
Mesha e varrimit për Papa Françeskun ka përfunduar dhe tani arkivoli i tij ka mbërritur në Bazilikën “Santa Maria Maggiore” në Romë për t’u varrosur.
Vetura që barti arkivolin e Papës u largua nga qyteti i Vatikanit dhe kaloi mbi lumin Tiber, pastaj përmes qendrës së Romës deri te “Piazza Venezia”, duke kaluar pranë Koloseut, përpara se të kthehej në drejtim të veriut për të arritur në “Santa Maria Maggiore”.
Varrimi brenda kishës nuk do të jetë i hapur për publikun.

Në funeral kujtohet thirrja e Papa Françeskut për të “ndërtuar ura, jo mure”
Kardinali Giovanni Battista Re në predikimin e mbajtur për funeralin e Papa Françeskut, ka lavdëruar “lidershipin e tij pastoral”, i cili ka thënë se është ruajtur përmes “personalitetit të vendosur” të Françeskut.
“Ai vendosi kontakt të drejtpërdrejtë me individët dhe popujt, i etur për të qenë pranë të gjithëve, me një vëmendje të veçantë ndaj atyre në vështirësi, duke e dhënë veten pa kursim, veçanërisht ndaj të margjinalizuarve, më të vegjëlve ndër ne”, ka thënë Giovanni.
“Ai ishte një Papë mes njerëzve, me një zemër të hapur ndaj të gjithëve. Ishte gjithashtu një Papë i vëmendshëm ndaj shenjave të kohës dhe asaj që Shpirti i Shenjtë po zgjonte në Kishë”, ka shtuar ai, teksa kujtoi thënien e famshme të Françeskut për të “ndërtuar ura, jo mure”.
Trump mbërrin në Sheshin e Shën Pjetrit, në ceremoninë e varrimit të Papa Françeskut
Më shumë se 200 mijë njerëz pritet të jenë këtë fundjavë në Funeralin e Papa Franceskut në Vatikan ky mes tyre më shumë se 170 delegacione ndërkombëtare.
Në mesin e liderëve që do të marrin pjesë në Funeralin e Atit të Shenjtë janë Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, Presidenti Amerikan Donald Trump, ai francez Emmanuel Macron si dhe dhjetëra liderë të tjerë nga e gjithë bota.
Sot bëhet varrimi i Papës, aty valëvitet edhe flamuri kombëtar shqiptar
Besimtarët e parë kanë nisur të hyjnë sot herët në mëngjes në sheshin e “Shën Pjetrit”, në Romë, pasi kanë kaluar kontrollet e rrepta sigurie në hyrje.
Shumë njerëz vrapuan për të mbërritur në rreshtat e parë dhe në vendet, të cilat janë të kufizuara në numër, për të marrë pjesë në varrimin e Papa Françeskut.
Një grup të rinjsh salezianë thonë se janë në shesh “që nga mesnata”. Kurse, një burrë i veshur me rroba tradicionale shqiptare valëvit flamurin e kombit të tij.
“Kam qenë në radhë që nga ora 19:00 dje”, thotë ai. Me të është Don Antonio, koordinator kombëtar i kujdesit baritor të katolikëve shqiptarë në Itali dhe një tjetër bashkatdhetar.
“Faleminderit At i Shenjtë për shenjtërimin e Nënë Terezës, vizitën tuaj në vendin tonë, lumturimin e dëshmorëve tanë”, shkruhet në tabelën që ata mbajnë në turmë.
Disa, megjithatë, veshin uniformën e vëllazërisë së tyre, si Lorenci dhe Luca, të cilët udhëtuan me makinë 16 orë nga Gjermania për të arritur në Romë dhe për të marrë pjesë në funeralin e Papa Françeskut.
Mesha e varrimit të Papa Françeskut do të bëhet të shtunën më 26 prill në orën 10:00, përpara Bazilikës së Shën Pjetrit.
Liturgjia, e kryesuar nga Dekani i Kolegjit të Kardinalëve, Kardinali Giovanni Battista Re, hapet me antifonin, ose pasazhin e shkurtër.
Pas predikimit, liturgjisë eukaristike dhe lutjes së Kishës së Romës, kremtori e spërkat trupin e Papa Françeskut me ujë të shenjtë.
Këndohet (Antifone) “Engjëjt t’ju shoqërojnë në Parajsë, dëshmorët t’ju shoqërojnë në mbërritjen tuaj dhe t’ju çojnë në Jeruzalem të shenjtë.”
Nëse predikimi është në italisht, leximet dhe lutjet do të jenë në gjuhë të ndryshme. Ndërsa këngët do të jenë të gjitha në latinisht, gjatë meshës është planifikuar edhe litania e shenjtorëve, pra një lutje solemne për shenjtorët që janë gjithashtu domethënës për liturgjinë.










