Viti i ri shkollor, thirrje për sigurinë e lëvizjes së nxënësve në trafik
Me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor, Asociacioni Kosovar i Motorizimit – AMRKS dhe Kolegji Tempulli, kanë bërë një thirrje të fuqishme për kujdes të shtuar në trafik, me fokus të veçantë te siguria e nxënësve gjatë rrugës për në shkollë dhe kthimit në shtëpi.
Sipas statistikave të fundit, në Kosovë janë regjistruar mbi 13,235 aksidente rrugore gjatë muajve të kaluar, me rreth 60 viktima. Me rritjen e qarkullimit gjatë periudhës shkollore, rreziku për aksidente rritet ndjeshëm, veçanërisht për fëmijët.
“Fillimi i vitit të ri shkollor kërkon kujdes të shtuar në rrugë”
Nga Asociacioni Kosovar i Motorizimit – AMRKS dhe Kolegji Tempulli theksojnë se edukimi dhe ndërgjegjësimi i pjesëmarrësve në trafik është thelbësor për të parandaluar aksidentet dhe për të mbrojtur jetën e nxënësve.
Ata kanë publikuar një listë rekomandimesh për prindërit, drejtuesit e mjeteve dhe vetë nxënësit, për të siguruar një fillim të sigurt të vitit shkollor.
“Shoqëroni fëmijët e vegjël deri në shkollë, sidomos ata nën moshën 10 vjeç. Mësojuni rregullat e trafikut dhe shenjat për këmbësorë. Përdorni rrugë të sigurta dhe të njohura për të shmangur zona të rrezikshme. Veshja e dukshme dhe fluoreshente ndihmon drejtuesit t’i vërejnë më lehtë fëmijët. Kaloni rrugën me kujdes, edhe kur semafori është i gjelbër. Kërkoni ndihmë nga të rriturit, në rast të pasigurisë gjatë ecjes. Përdorni transport të licencuar dhe shoferë të kualifikuar për nxënësit. Shmangni parkimet para hyrjes së shkollës, për të mos penguar qarkullimin dhe për të garantuar sigurinë. Kujdesi dhe përgjegjësia jonë e përbashkët janë thelbësore për të mbrojtur fëmijët tanë,” thuhet në deklaratën e përbashkët të AMRKS dhe Kolegjit Tempulli.









