RTV21
BallinaKosova
🇽🇰 Kosova

Von Cramon e çmon angazhimin e Qeverisë së Kosovës në pozicionimin krah BE-së

nga Egzona Mehmeti3 mars 2022

Zëvendëskryeministri për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, i Kosovës, Besnik Bislimi, sot priti në takim Raportuesen për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, me ç’rast ritheksoi faktin se objektivi kryesor i Kosovës është integrimi në Bashkimin Evropian.
Bislimi e informoi Von Cramonin rreth angazhimeve të fushëveprimit të tij dhe u shpreh mirënjohës ndaj mbështetjes së shprehur për procesin e liberalizimit të vizave, për të cilën pret përmbylljen sa më parë të këtij procesi dhe lëvizjen e lirë për qytetarët e vendit tonë dhe pranimit në Këshillin e Evropës.
U potencua fakti i pozicionimit të Kosovës krah BE-së dhe vendeve aleate për sa i përket zhvillimeve në Ukrainë.
Von Cramon tha se e çmon angazhimin e Qeverisë së Kosovës në pozicionimin e saj krah Bashkimit Evropian dhe shteteve aleate, në sanksionet kundër Rusisë.
Ndërsa, Bislimi tha se Kosova ndan të njëjtat vlera perëndimore me BE-në dhe se përshpejtimi i anëtarësimit të Kosovës në BE do t’i shërbente sigurisë rajonale dhe asaj evropiane.
“Zëvendëskryeministri Bislimi foli gjithashtu dhe për dinamikat e avancimit dhe progresit në reformat në kuadër të Agjendës Evropiane. Prioritetet kryesore janë sundimi i ligjit, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, zhvillimi ekonomik dhe qeverisja e mirë. Në përfundim të takimit, znj. Cramon konfirmoi edhe njëherë përkushtimin e saj për ta ndihmuar Kosovën në procesin e liberalizimit të vizave dhe integrimin në Bashkimin Evropian.​”, u bë e ditur në komunikatë./21Media

Spanja kundër Argjentinës: Finales botërore i dihet gjithçka
LAJMI TJETËR →
Spanja kundër Argjentinës: Finales botërore i dihet gjithçka

Më të fundit

Të gjitha →