Ende nuk ka përgjigje ndaj ftesës së presidentit
Vetëvendosja heshti ndaj ftesës se dytë të presidentit Hashim Thaçi për takim. RTV21 ka tentuar të marrë një pëgjigje nga zyra e VV-së, nëse Albin Kurti do t’i pëgjigjet ftesës së dytë të presidentit për takim, por të njëjtit ende nuk kanë kthyer një përgjigje.
I pari i shtetit sot gjatë ditës i ka bërë dy ftesa liderit të VV-së për takim. Takimi i parë ishte thirrur për në ora 13:30, megjithëse ky takim dështoi, për shkak se kreu i VV-së tha se ndodhej jashtë Prishtinës. Ndërsa me ftesën e dytë Thaçi i kërkoi të takohen në ora 20:00.
Pas mostakimit të dy liderëve, ishte deklaruar kreu i shtetit, i cili përmes një postimi në Twitter u shpreh se do ta thërrasë prapë Kurtin në takim, ashtu edhe ndodhi. Më tej u kërkoi që të mos ta vonojnë formimin e qeverisë./21Media










