Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha të martën se është i sigurt se SHBA-të nuk do ta tradhtojnë Kievin dhe do të zbatojnë marrëveshjet e arritura mes dy vendeve për ndihmën financiare.
“Sa i përket ndihmës financiare, ne po punojmë shumë për këtë. Jam i sigurt se SHBA-të nuk do të na tradhtojnë dhe se ajo për të cilën kemi rënë dakord në SHBA do të zbatohet plotësisht”, tha Zelensky gjatë një konference për shtyp të fundvitit në kryeqytetin Kiev.
Ai tha se zhvillimet në lidhje me forcimin e aftësive të mbrojtjes ajrore të Ukrainës janë të rëndësishme dhe ky dimër do të jetë i ndryshëm për shkak të sfidave të ndryshme.
“Por ne po bëhemi më të fortë dhe më të fuqishëm. Kam pasur një udhëtim serioz pune. Disa sisteme të reja Patriot do të jenë në Ukrainë për të mbrojtur vendin tonë në dimër. Ky është një rezultat shumë i rëndësishëm”, tha Zelensky.
Rusia dështoi të arrijë ndonjë rezultat në vijën e frontit gjatë këtij viti, tha lideri ukrainas, teksa pohoi se kjo vërtetohet përmes retorikës së pandryshuar të Kremlinit në lidhje me qëllimet e “operacionit special ushtarak”.
“Nuk ka asgjë për të folur për humbjet. Rusia nuk arriti asnjë fitore. Çfarë tri ditë … Dy vjet. Luftëtarët dhe njerëzit tanë janë të mëdhenj. Unë u jam edhe një herë mirënjohës atyre për këtë”, shtoi ai.
Zelensky tha gjithashtu se ushtria ukrainase propozoi të mobilizojë 450.000 deri në 500.000 njerëz shtesë për ushtrinë.
“Kjo është një shifër shumë serioze. Unë thashë se më duhen më shumë argumente për ta mbështetur këtë drejtim, sepse është çështje e njerëzve para së gjithash”, tha ai.










