Po zhvillohet një operacion kërkimi
Forcat ajrore kiliane kanë deklaruar se një avion ushtarak me 38 persona në bord është zhdukur gjatë rrugës për në Antarktidë.
Avioni transportues “C-130 Hercules” u ngrit nga Punta Arenas në orën 16:55 me kohën lokale dhe operatorët humbën kontaktin pas orës 18:00.
Midis të zhdukurve janë 17 anëtarë të ekuipazhit dhe 21 pasagjerë, të cilët po udhëtonin për të siguruar mbështetjen logjistike, transmeton rtv21.tv.
Forca ajrore e Kilit tha që një operacion kërkimi dhe shpëtimi është duke u zhvilluar.
Agjensia e lajmeve EFE raporton se tre prej atyre që janë në bord janë civilë.
Gjenerali i Forcave Ajrore Eduardo Mosqueira u tha mediave lokale se aeroplani nuk aktivizoi asnjë sinjal shqetësimi ndërsa fluturonte drejt bazës. Ai tha se avioni, piloti i të cilit kishte përvojë të gjatë, mund të jetë detyruar të ulet pasi i ka mbaruar karburanti.
Kili kontrollon mbi 1.2 milion kilometra katrorë të territorit të Antarktikut, tokë kufitare e pretenduar nga Britania e Madhe dhe Argjentina. Brenda këtij territori Kili operon në nëntë baza – më të madha se të çdo vendi në botë./21Media









