Policia ka arrestuar dy persona në lidhje me një zjarr masiv në një ndërtesë katërkatëshe në kryeqytetin Indian, New Delhi që la të paktën 27 të vdekur, thanë zyrtarët e policisë dhe zjarrfikësve.
Dymbëdhjetë të tjerë u plagosën nga zjarri që përfshiu ndërtesën në zonën Mundka në periferinë perëndimore të qytetit të premten në mbrëmje, u tha gazetarëve të shtunën shefi i Shërbimeve të Zjarrfikësve në Delhi, Atul Garg.
Ndërtesa nuk kishte leje sigurie nga departamenti i zjarrit dhe as nuk ishte e pajisur me pajisje të sigurisë nga zjarri, tha Garg, duke shtuar se zjarri filloi në katin e parë, ku ndodhet një kompani që prodhon kamera sigurie.
Dy vëllezër, pronarë të firmës, u arrestuan nga policia, sipas kryeministrit të Delhi, Arvind Kejriwal, i cili vizitoi vendin të shtunën. Pronari i pallatit është arratisur.
Më shumë se 75 persona ishin në ndërtesë kur zjarri shpërtheu të premten në mbrëmje. Disa u hodhën nga dritaret për të shpëtuar veten, sipas dëshmitarëve, dhe zjarrfikësit thyen xhamin dhe shpëtuan njerëzit me litarë./21Media








