ZRrE ende s’ka pranuar zyrtarisht marrëveshjen e arritur mes KEDS-it dhe Elektroseverit
Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE), ende nuk ka pranuar zyrtarisht marrëveshjen komerciale të nënshkruar të shtunën ndërmjet KEDS-it dhe Elektrosever për ofrimin e shërbimeve energjetike.
Sa i përket kësaj marrëveshje, kryetari i Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, Ymer Fejzullahu nuk ka dhënë detaje të sakta të afateve kohore në lidhje me faturimin e energjisë elektrike në katër komunat veriore.
Ndërsa, kompania KEDS nuk janë përgjigjur për KosovaPress lidhur me detajet e marrëveshjes së nënshkruar më 9 dhjetor 2023 për energji.
Ndërkaq, analisti Gazmir Raci ka vlerësuar se me këtë marrëveshje, serbët në katër komunat me shumicë serbe obligohen të paguajnë rrymën e shpenzuar.
Ai thekson për KosovaPress se nga kjo marrëveshje zgjidhet përfundimisht edhe qasja e autoriteteve të Kosovës në trafostacionin e Vallaqit.
Ai beson se konsumi i energjisë në katër komunat veriore do të jetë e prodhuar nga Kosova, përkatësisht nga termocentralet e KEK-ut.
Kryetari i Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, Ymer Fejzullahu përmes një përgjigje me shkrim thekson për KosovaPress se marrëveshja e arritur më 9 dhjetor 2023, është nënshkruar Marrëveshja Komerciale ne mes Elektrosever dhe KEDS për ofrimin e shërbimeve te distribuimit ( faturim, mirëmbajtje dhe lidhje fizike të konsumatorëve), në katër Komunat veriore me shumicë serbe, ashtu siç ishte përcaktuar me Nenin 5 të “Marrëveshjes për Energjinë “ te vitit 2013.
“Korniza ligjore që rregullon sektorin e energjisë në Kosovë promovon një treg të liberalizuar të energjisë elektrike. Prandaj, siç është e përcaktuar në kushtet e licencës, ky aktivitet i furnizimit nuk i nënshtrohet rregullimit apo miratimit të tarifave nga ZRRE-ja, si rrjedhojë, Elektrosever nuk ka ndonjë obligim për përgatitje të propozimit për tarifa për konsumatorët të cilët i shërben”, thotë ai në një përgjigje me shkrim.
Fejzullahu thekson se veprimtaria e Elektroseverit si Furnizues i Licencuar për furnizim me energji elektrike kryhet në përputhje me dispozitat ligjore që parashohin Ligjet e Sektorit të Energjisë në Republikën e Kosovës.
Megjithatë, ai thotë se ZRRE-ja ende nuk ka pranuar zyrtarisht marrëveshjen e nënshkruar të shtunën mes KEDS-it dhe Elektrosever.
“Rregullatori ende nuk e ka pranuar zyrtarisht marrëveshjen komerciale të nënshkruar për ofrimin e shërbimeve dhe nuk mundë të ofrojë detaje të sakta të afateve kohore në lidhje me faturimin”, thekson Fejzullahu.
KosovaPress për këtë çështje ka dërguar pyetje edhe tek KEDS-i, mirëpo deri në publikimin e kësaj teme nuk janë përgjigjur. Mirëpo, të njëjtit përmes një komunikate kanë njoftuar të shtunën se është nënshkruar kontrata me Elektrosever, e cila ka për qëllim normalizimin e shpërndarjes dhe furnizimit me energji elektrike në komunat Zubin Potok, Leposaviq, Zveçan dhe Mitrovicë Veriore.
Në komunikatë po ashtu thuhet se KEDS-i pret bashkëpunimin me Elektroserverin, i cili do të jetë me sukses kyç për shërbimet e shpërndarjes dhe investimeve në komunat e lartpërmendura.
“Kjo kontratë përkon me ligjin e Kosovës dhe kornizën rregullative, në përputhje me Marrëveshjet në lidhje me Energjinë të datës 8 shtator 2013 (“Marrëveshjet e Energjisë 2013”) dhe Konkluzionet e Lehtësuesit të BE-së për zbatimin e Marrëveshjes së Energjisë të vitit 2013, të datës 25 gusht 2015 (“ Marrëveshjet për Energjinë të vitit 2015”), si dhe Udhërrëfyesin për Zbatimin e Marrëveshjeve Energjetike të 21 qershorit 2022. Ky proces i zgjatur ka qenë shumë delikat dhe sfidues për tërë sistemin energjetik në Kosovë, dhe ne jemi të kënaqur që kemi arritur këtë moment historik”, thuhet në njoftimin e KEDS.
Zëvendëskryeminstri i Kosovës, Besnik Bislimi, e ka mirëpritur marrëveshjen komerciale në mes KEDS-it dhe Elektroserverit.
Bislimi tha se me nënshkrimin e kësaj marrëveshje bëhet një hap tutje për furnizimin me energji në katër komunat veriore.
“Me nënshkrimin e kontratës komerciale ndërmjet KEDS-it dhe Elektrosever, sipas pikës 3 të Udhërrëfyesit për Marrëveshjen e Energjisë, u bë një hap tutje drejt normalizimit të furnizimit me energji dhe faturimit në katër komunat në veriun e Kosovës”, shkroi Bislimi.
Ndërsa, zëdhënësi i AAK-së, Kushtrim Xhemaili, ka reaguar ndaj deklaratës së zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi i cili e ka mirëpritur marrëveshjen e djeshme ndërmjet KEDS-it dhe Elektroseverit.
Xhemaili i ka kujtuar Bislimit qëndrimin e kryeministrin Kurti që si opozitar kishte ndaj Elektroseverit.
“Prej kur marrëveshja me Elektroseverin, qenka bërë marrëveshje historike dhe sukses i jashtëzakonshëm për Kosovën? Shiheni videon e mëposhtme të Albin Kurtit sa ishte në opozitë dhe qëndrimin e tij për Elektroseverin”, ka thënë Xhemaili.
Ai ka shtuar se qeveria Kurti me rrena ka ardhur në pushtet e me rrena ka me shkua.
“Zëvendëskryeministri paska deklaru që më në fund pas 20 vjetësh do të fillojë faturimi i rrymës në veri, por nuk paska tregu se cila është hisja e Elektroseverit të Serbisë në tregun energjetik të Kosovës. Kjo qeveri me rrena ka ardhë e me rrena do të perfundojë. Populli nuk han bari, populli ju sheh!”, është shprehur Xhemaili.











