💬 Opinione
Apolloni: Pas nderimit të Kurtit dhe Osmanit s’mund të themi se UP-ja është neutrale
nga B G8 tetor 2025
Nga Ag Apolloni
Gjumi i arsyes prodhon përbindësha
Dy krerët e shtetit u lumnuen si “Alumni nderi”. A ka pengesë ligjore? Jo. Po çfarë, atëherë? Ka pengesa dhe rreziqe të tjera që shpesh njerëzit e ligjeve të shkruara, s’i kuptojnë. (Sofokliu këtë përplasje mes ligjeve të shkruara dhe atyre të pashkruara, e ka trajtuar para 2500 vjetësh në një tragjedi të tij). Prandaj, edhe pse s’ka asnjë pengesë ligjore që krerëve të shtetit t’u jepen tituj nga Universiteti i Prishtinës, ka pengesa të tjera, etike, që s’e miratojnë një veprim të tillë, sepse, duke i nderuar krerët e shtetit sa janë në pushtet, institucioni e rrezikon neutralitetin e vet.
Pas këtij nderimi, s’mund të themi se UP-ja është neutrale, as të shpresojmë se profesorët e saj mund të jenë një lloj opozite intelektuale. Duke i nderuar politikanët në pushtet, UP-ja na i ofron ata si modele që duhet t’i ndjekim, jo t’i kritikojmë. Pra, më 7 tetor 2025, profesorëve u mbyllet goja zyrtarisht për t’i kritikuar “shembujt e vet më të mirë”.
A e shkeli ligjin rektori? Jo. A e dëmtoi institucionin? Po.
A u lejohet krerëve të shtetit ta pranojnë këtë nder? Po. A bën mirë që e pranuan? Jo. Pse? Sepse, duke e pranuar, ata treguan që interesat personale i vendosin mbi interesat institucionale e nacionale. Nderimi i tyre (sa janë në pushtet) është dëmtim i institucionit. Po të ishin bash të mirë, do të thoshin: ky nderim duket si nënshtrim, kurse ne ju duam në këmbë, jo në gjunjë e përtokë. Kështu, do ta lartësonin veten dhe do ta mbronin dinjitetin e universitetit publik. (Për shembull, Barack Obama, sa ishte president, nuk pranonte tituj “honoris causa” nga universitetet amerikane, pasi e konsideronte etikisht të papërshtatshme që një president në detyrë të pranojë nderime institucionale).
Por, zonja Alumna dhe zoti Alumnus, gabuan që pranuan të nderohen si “alumni nderi”, edhe për dy arsye të tjera (pa hyrë te vlerat që prezantojnë, ose jo):
- vetë sintagma “alumni nderi” është shartim i keq, një kalk nga “honorary alumni”, që i duhet ndonjë dekadë për të zënë vend në gjuhën shqipe. Ose e thua “I diplomuar nderi”, ose “Alumnus honoris causa” (Albinit), apo “Alumna honoris causa” (Vjosës), ose “Alumni honoris causa” (kur u drejtohemi të dyvve përnjëherë);
- "alumni nderi” (honorary alumni) i jepet dikujt që nuk ka kryer studimet në atë universitet, por që ka kontribuar për të financiarisht, ose në një formë tjetër. Pra, ne që kemi diplomuar në UP, jemi thjesht “alumni”, kurse ata që s’kanë qenë pjesë e UP-së (as studentë, as profesorë) mund të nderohen si “alumni nderi”, nëse kanë bërë diçka me të cilën vërtet e kanë nderuar universitetin nderues. Pra, ky është rregull, të cilin e shkelën ata që e dhanë çmimin dhe ata “të lumnuemit” që e morën”. Në faqet e shumë universiteteve të botës, te kriteret për ta marrë këtë titull, fjalia e parë është: “nuk vijnë në konsideratë ata që kanë kryer studimet në këtë universitet”.
