🇽🇰 Kosova
Arrestohet një zyrtar i Agjencisë së Pyjeve për legalizim të kontrabandës me dru
nga Venera Grabanica14 maj 2026
Një zyrtar i Agjencisë së Pyjeve të Kosovës është arrestuar nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës zyrtare në kontrabandë me dru në fshatin Shahiq të Kamenicës.
Sipas Policisë, rasti ka ndodhur të mërkurën kur në fshatin Shahiq, gjatë patrullimit policor është ndaluar një kamion i drejtuar nga një mashkull kosovar, i ngarkuar me dru që dyshohet se po transportoheshin nga territori i Serbisë në Kosovë.
Gjatë kontrollit të dokumentacionit përcjellës, hetuesit kanë dyshuar se një zyrtar i Agjencisë së Pyjeve ka bërë në mënyrë të kundërligjshme damkosjen e druve dhe ka lëshuar fletëpërcjelljen për transportin e tyre.
Me vendim të prokurorit, sasia e druve është sekuestruar, ndërsa zyrtari i dyshuar është arrestuar dhe dërguar në mbajtje.











