Avokatët nga Republika e Kosovës njihen zyrtarisht nga Gjermania
Avokatët e licencuar nga Republika e Kosovës do të mund të ushtrojnë funksionin e tyre edhe në Republikën Federale të Gjermanisë.
Kjo u bë e ditur nga ambasadori i Kosovës në Berlin, Faruk Ajeti.
“Kjo është një arritje e jashtëzakonshme jo vetëm për marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet dy shteteve tona, por edhe për drejtësinë kosovare. Të njohur nga një vend i rëndësishëm si Gjermania, avokatët nga vendi ynë mund të përfshihen më lehtë në raste ndërkombëtare dhe të ofrojnë ekspertizën e tyre në çështje juridike”, shkroi Ajeti në Facebook.
“Ky kapitull i ri ofron një mundësi të jashtëzakonshme, që dija dhe përvoja e avokatëve kosovarë të jenë në proporcion të drejtë me standardet ndërkombëtare të drejtësisë dhe të integrimit juridik, përkatësisht të përshtatshmërisë së kuadrit ligjor të avokatisë kosovare me atë gjermane dhe evropiane. Faleminderit Ministrisë Federale të Drejtësisë për besimin e vazhdueshëm ndaj Republikës së Kosovës”, shtoi Ajeti, duke bashkëngjitur një dokument të njohjes. /21Media








