Presidenti amerikan, Joe Biden deklaroi të shtunën se presidenti rus, Vladimir Putin nuk mund të qëndrojë në pushtet, por pavarësisht kësaj Shtëpia e Bardhë ka sqaruar se kjo nuk ishte një thirrje për ndryshim regjimi.
“Për hir të Zotit, ky njeri nuk mund të qëndrojë në pushtet”, tha Biden.
Ndërsa, Shtëpia e Bardhë sqaroi se qëndrimi i Presidentit ishte se ”Putini nuk mund të lejohet të ushtrojë pushtet mbi fqinjët e tij apo rajonin. Ai nuk po diskutonte fuqinë e Putinit në Rusi, apo ndryshimin e regjimit”.
Zyrtarët amerikanë kishin thënë më parë se largimi i Putinit nga pushteti nuk ishte qëllimi i tyre.
Sipas sekretarit të Shtetit, Antony Blinken, populli rus duhet të vendosë se kush dëshiron t’i udhëheqë.
Teksa nuk mungoi as përgjigjja e Kremlinit, ”kjo nuk duhet të vendoset nga zoti Biden. Kjo duhet të jetë vetëm një zgjedhje e popullit të Federatës Ruse”./21Media









