Bislimi e njofton Sorensenin se Serbia po i bllokon mjetet e Kosovës për Luginën
Zëvendëskryeministri në detyrë dhe kryenegociatori i Kosovës për bisedime me Serbinë, Besnik Bislimi thotë se e ka njoftuar përfaqësuesin e BE-së për dialogun, Peter Sørensen se Serbia, po i bllokon mjetet e Kosovës të destinuara për Luginën e Preshevës.
Bislimi në një postim në Facebook, ka thënë se Serbia tre herë radhazi ka bllokuar të hollat e dërguara nga Kosova dhe i ka refuzuar ato pa asnjë bazë ligjore.
“3,650 fëmijë shqiptarë në Luginë janë duke përdorur 35.448 tekste shkollore të financuara nga Qeveria e Kosovës, pas kërkesës zyrtare të Këshillit Kombëtar Shqiptar. Qeveria jonë ka zbatuar plotësisht dhe në kohë të gjitha detyrimet e saj ligjore dhe institucionale. Megjithatë, pagesa përkatëse prej 304.511.16 euro, e destinuar për furnizimin me tekste shkollore, përkrahjen e aktiviteteve ndërkombëtare të avokimit dhe funksionimin institucional të KKSH-së, është bllokuar tre herë radhazi nga banka pranuese në Serbi. Në të tre rastet, transferi është refuzuar. Mjetet po refuzohen pa dhënë asnjë arsye ligjore, teknike apo rregullatore”, ka shkruar Bislimi.











