Chelsea përballet me akuza për 74 shkelje të rregullave të transferimeve
Skuadra angleze Chelsea po përballet me akuza serioze që lidhen me shkelje të rregullave të transferimeve gjatë periudhës kur klubi drejtohej nga Roman Abramovich.
Sipas mediave britanike, “Blutë” akuzohen për 74 shkelje të kryera midis viteve 2010 dhe 2016. Shkeljet kanë të bëjnë kryesisht me pagesa të kryera ndaj agjentëve të lojtarëve, të cilat nuk janë regjistruar në mënyrë të rregullt në librat financiarë të klubit.
Menaxhmenti aktual i Chelsea-t, i cili ka ndryshuar pas largimit të Abramovich, thuhet se i ka raportuar vetë këto parregullsi tek autoritetet përkatëse. Në këtë kuadër, të dhënat financiare të klubit i janë dorëzuar Shoqatës Angleze të Futbollit (FA), e cila do të shqyrtojë rastin dhe do të vendosë për masat që mund të ndërmerren.
Çështja pritet të ketë zhvillime të mëtejshme në javët në vijim, teksa FA po heton në detaje akuzat ndaj klubit londinez.






