Moti…🇦🇱 SQ🇬🇧 EN🔎 Kërko
RTV21
BallinaKosova
🇽🇰 Kosova

Debati për raportin e progresit shtyhet për seancën e ardhshme

nga Venera Grabanica23 nëntor 2023
Debati për raportin e progresit shtyhet për seancën e ardhshme

(Lajm i përditësuar)

Kuvendi i Kosovës ka ndërprerë punimet e seancës së sotme plenare, pas dështimit të miratimit edhe të tri marrëveshjeve ndërkombëtare.

Legjislativi nuk pati kuorum për t’i miratuar të njëjtat, megjithëse gjatë ditës së sotme pozitë dhe një pjesë e opozitës u bënë bashkë për t’i kaluar disa nga marrëveshjet ndërkombëtare.

Kësisoj, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, mbylli punimet e seancës së sotme, rrjedhimisht shtyu edhe debatin për raportin e progresit për Kosovën.

Konjufca tha se ky debat do të mbahet si pikë e parë e rendit të ditës në seancën e radhës


S’ka konsensus në Kuvend për marrëveshjen me Danimarkën për burgun e Gjilanit

Kryeparlamentari Glauk Konjfuca nuk e ka hedhur në votim Traktatin ndërmjet Kosovës dhe Danimarkës për shfrytëzimin e institucionit korrektues në Gjilan me qëllim të ekzekutimit të dënimeve daneze, pas polemikave të shumta mes ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe deputetëve, kryesisht nga Lidhja Demokratike të Kosovës.

Pasi deputetët e LDK-së ngritën një mori shqetësime për këtë ujdi ndërkombëtare, ministrja Haxhiu, tha se të njëjtën e ka gjetur mbi 90 për qind të gatshme nga ish- Qeveria Hoti, madje tha se ka gjetur disa mos përputhje me Ligjin për marrëveshjet ndërkombëtare, andaj e ka rikthyer në pikën zero.

Pas kësaj deklarate, shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi tha se e tërheqin mbështetjen ndaj kësaj marrëveshje.

Kundër kësaj ujdie u shfaq edhe deputeti i LVV-së, Gazmend Gjyshinca. Duke parë këtë pozicion, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, tha se kjo marrëveshje do të tejkalohet për t’i dhënë mundësi sqarimeve të mëtutjeshme, ndërkaq vendosi që Kuvendi të shkojë në pauzë deri në orën 15:30.


Abazi akuzon Haxhiun: Gjatë intervistimit në Prokurori një matrapaz më kërcënoi me revole

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, është përplasur me deputetin e pavarur, Haki Abazi, në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës.

Pas deklarimit jashtë rendit të ditës të Abazit, ku kritikoi Haxhiun në lidhje me zjarrin në Institutin e Mjekësisë Ligjore, kjo e fundit i tha Abazit të ketë kujdes me deklarimet publike, duke i përmendur atij intervistimin nga Prokuroria Speciale në lidhje me rastin Dehari, ku sipas saj, Abazi atje me shumë vështirësi ka folur. Mirëpo, deputeti i pavarur pyeti Haxhiun ku i ka marrë informatat për një gjë të tillë, derisa aludoi se asaj i ka treguar një zyrtar policor, i cili sipas tij ka kërcënuar me revole gjatë intervistimit.

Haxhiu, i tha Abazit të mos del në foltore në Kuvend vetëm sa për të thënë diçka dhe për të qenë në ballina të mediave.

Mirëpo, deputeti Abazi, tha se informacioni që ministrja Haxhiu ka për intervistimin e tij në Prokurorinë Speciale dëshmon ndërhyrjen në drejtësi.

Ai tha se ajo ka marrë informacione nga një zyrtar policor, që Abazi e quajti matrapaz dhe që ka kërcënuar me revole.

Por, kjo sipas ministres Haxhiu është procedurë e rregullt, pasi edhe ajo kur është intervistuar për rastin Dehari ka qenë një zyrtar policor i cili ka pasur armën në brez.


Gashi për zjarrin në IML: Qeveria po digjet nga flakët e pushtetit

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi deklaroi se zjarri në Institutin e Mjekësisë Ligjore mund të jetë shkaktuar me qëllim të zhdukjes së rasteve kriminale. Ai numëroi tri skandalet, që sipas tij, ka bërë qeveria gjatë një jave. Në seancë plenare, Gashi u shpreh se ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu kishte deklaruar se nuk ka dëmtim të mostrave dhe të arkivës.

Ai theksoi se bazuar në raportimet, deklarimi i tillë nuk është i vërtetë. Po ashtu ai tha se skandali i parë është shtyrja e regjistrimit të popullsisë dhe pronës për një kohë të caktuar.

Ai tha se kjo qeveri erdhi me flakë në pushtet, por ai akuzoi pushtetin për qeverisje kriminale.

Gashi përmendi edhe pagën e këshilltarit Gani Jakupi, i cili është angazhuar në Ministrinë e Punëve të Jashtme.


Haxhiu: Mustaqet e Adem Jasharit u dogjën në IML, s’e dija se mbaheshin aty

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, është përgjigjur në pyetjen e parashtruar nga deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri, lidhur me djegien e mustaqeve të komandantit Adem Jashari dhe një pjese trupore të heroit Isa Boletini, në Institutin e Mjekësisë Ligjore.Haxhiu ka thënë se nuk ka pasur informacione se këto po mbaheshin në IML.“Sa i përket asaj çka është raportuar dje, mustaqeve dhe gishtit të Isa Boletinit, ato nuk kanë qenë pronë e Institutit të Mjekësisë Ligjore sepse IML nuk ka të drejtë që të mbajë gjëra të tilla. Siç na është thënë, në vitin 2000 familjet Boletini dhe Jashari ia kanë dhënë njërit prej ekspertëve të IML-së. Familjet ia kanë dhënë atij dhe personi i ka mbajtë në zyrë. Po ta dija unë, ato duhej ti mbante shteti. Nuk kam pasur informacione se kanë qenë në zyrë të një prej ekspertëve”.

Ngjarjet në IML, PDK-ja do të iniciojë themelimin e komisionit hetimor

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se Qeveria i ikën debatit për skandalet në vend, duke përmendur Serbinë.Ai ka thënë se skandalet e kësaj qeverie janë aq të mëdha “sa nuk di nga t’ia fillosh”.Tahiri ka thënë se do të propozojë krijimin e një komisioni hetimor për t’i hetuar dëmet që ka shkaktuar zjarri i fundit në IML.Tahiri ka thënë se që prej ardhjes së Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet janë parë përpjekje të vazhdueshme për ta penguar punën e Institutit të Mjekësisë Ligjore.Seanca ka nisur me një minutë heshtje në nder të jetës dhe veprës së Xhemajl Mustafës në 23-vjetorin e vrasjes së tij. Mustafa ishte një ndër themeluesit e LDK-së.

Seanca e Kuvendit të Kosovës nisi me një minutë heshtje në nderim të Xhemajl Mustafës

Në Kuvendin e Kosovës, seanca plenare ka nisur me një orë vonesë.

Seanca e Kuvendit të Kosovës ka nisur me një minutë heshtje në nderim të jetës dhe veprës së aktivistit të LDK-së, Xhemajl Mustafa sot në 23 vjetorin e vrasjes së tij.


​Kuvendi diskuton sot për Raportin e Progresit për Kosovën

Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sot në një seancë plenare nga ora 10:00, në të cilën përveç tjerash, do të debatojnë edhe në lidhje me Raportin e Progresit të Komisionit Evropian.

Në raportin e progresit për Kosovën, në shumicën e fushave që vlerësohen, Komisioni Evropian ka thënë se Kosova ka shënuar “përparim të kufizuar”.

Aty gjerësisht përmendet edhe situata e tensionuar e sigurisë në veri të Kosovës, që banohet me shumicë serbe, por edhe për procesin e normalizimit të raporteve me Serbinë përmes dialogut që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Në dokumentin për Kosovën shprehjet keqardhje që Kosova dhe Serbia nuk kanë nisur t’i kryejnë obligimet e tyre nga dialogu pa parakushte dhe vonesa të tjera.

Kosovës i bëhet ftesë veçmas që të themelojë asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Në raport, tashmë kërkohet që asociacioni të themelohet duke pasur për bazë propozimin e fundit për draft-statusin për asociacionin, që u është prezantuar palëve më 21 tetor.

Ndryshe, paraprakisht në rend dite janë ratifikimi i disa marrëveshjeve ndërkombëtare të cilat kanë dështuar të miratohen në seancat e kaluara.

Këto marrëveshje nuk mund të kalojnë pa votat dy të tretave të deputetëve të përgjithshëm, ndërkohë që një pjesë e opozitës ka vendosur kushte për votimin e tyre.

Rendi i ditës:

1.  Miratimi i procesverbaleve nga seancat e mëparshme,
2.  Deklarimet jashtë rendit të ditës,
3.  Pyetjet parlamentare,
4.  Votimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes së financimit në mes të Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Bankës Evropiane për Investime për projektin “Rehabilitimi i linjës hekurudhore 10 B”,
5.  Votimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë dhe projektit ndërmjet Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, KOSTT (Operator Sistemi, Transmisioni dhe Tregu sh. a.) dhe KFW, Frankfurt Am Main (KFW) për Projektin -Zhvillimi i sektorit të energjisë VII – përmirësimi i rrjetit të transmetimit,
6.  Votimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë në mes të Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për rindërtim dhe zhvillim për Projektin “Ngrohtorja solare e Prishtinës”,
7.  Votimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për bashkëfinancimin e bursave të arsimit të lartë në nivelin master në mes Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe Ambasadës së Francës në Prishtinë,
8.  Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes në mes Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe Deutsche Gesellschaft für Zusammenarbeit (GIZ) GmbH, për projektin mbështetja për zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit të bujqësisë në zonat rurale përmes diversifikimit të aktiviteteve,
9.  Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë për programin e financave publike dhe rritjes ekonomike ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Fondit OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar,
10. Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Traktatit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Danimarkës për shfrytëzimin e institucionit korrektues në Gjilan me qëllim të ekzekutimit të dënimeve daneze,
11.  Shqyrtimi i Projektligjit për Aderimin e Republikës së Kosovës në Konventën për Importin e Përkohshëm,
12.  Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes ndërkombëtare ndërmjet Kosovës nga njëra anë dhe Bashkimit Evropian nga ana tjetër për pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e bashkimit programi i tregut të vetëm,
13.  Shqyrtimi i Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes së Financimit ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për projektin “Projekti për forcimin e qeverisjes digjitale për ofrimin e shërbimeve”,
14.  Debat parlamentar në lidhje me Raportin e Komisionit Evropian për Kosovën për vitin 2023,
15.  Votimi në lexim të dytë i Projektligjit për Verëra,
16.  Votimi në parim i Projektligjit për vlerësimin strategjik mjedisor,
17.  Votimi në parim i Projektligjit për performancën energjetike të ndërtesave,
18.  Votimi në parim i Projektligjit për administrimin e ndërtesave dhe lagjeve të banimit në bashkëpronësi,
19.  Votimi në parim i Projektligjit për tekstet shkollore,
20.  Votimi për emërimin e tre anëtarëve vendorë të Këshillit Shtetëror të Cilësisë të Agjencisë së Kosovës për Akreditim,
21.  Votimi i rekomandimit të Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit për shkarkimin e Agron Bekës nga pozita e anëtarit të Këshillit Prokurorial të Kosovës,
22.  Shqyrtimi i Programit Kombëtar të Shkencës 2023/2028,
23.  Formimi i Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një anëtari të Komisionit të Pavarur të Mediave, nga radhët e komuniteteve jo shumicë,
24.  Propozimi i grupeve parlamentare për emërimin dhe zëvendësimin e anëtarëve në Komisionin Hetimor Parlamentar në lidhje me rastet e dhunës seksuale dhe dhunës në familje në Republikën e Kosovës,
25.  Emërimi i Komisionit për dhënien e provimit të Jurisprudencës,
26.  Zgjedhja e tre anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës nga komuniteti shqiptar,
27.  Zgjedhja e një anëtari të Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

Ronaldo ndjek historinë, Anglia sfidon Kroacinë në Kupën e Botës
LAJMI TJETËR →
Ronaldo ndjek historinë, Anglia sfidon Kroacinë në Kupën e Botës

Më të fundit

Të gjitha →