Moti…🇦🇱 SQ🇬🇧 EN🔎 Kërko
RTV21
BallinaKosova
🇽🇰 Kosova

Dështon përpjekja e 21-të për konstituimin e Kuvendit

nga Gentrita Xhemajli25 maj 2025
Dështon përpjekja e 21-të për konstituimin e Kuvendit

(Lajm i përditësuar)



Gashi: LVV po thotë që i ka numrat për qeveri e jo për Albulena Haxhiun

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi i ka uruar suksese Albulena Haxhiu, derisa ajo po hynte në veturë pas dështimit për konstituim të kuvendit.

Deputeti Arben Gashi më pas u pyet nga mediat nëse do ia mundësonte këtë sukses Haxhiut, për çka tha se një gjë të tillë duhet ta bëjë partia e vet.

“Albulena suksese… I urova sukses, suksesin ia mundëson partia e vet, e cila po thotë që i ka numrat për qeveri por nuk i ka për Albulenën. Mendoj që është degraduese dhe e panevojshme një situatë e tillë. Gjithsesi mendoj se ka kaluar kohë e arsyeshme e sjelljes së tillë politike. Duhet që sa më shpejt të formohen institucionet”, u shpreh ai.

Seanca u ndërpre dhe vazhdimi i saj do të bëhet më 27 maj në orën 11:00.

Pro votimit të komisionit për votim të fshehtë të kryeparlamentarit votuan 53 deputetë, një votë kundër dhe asnjë abstenim.

Në sallën plenare kanë qenë të pranishëm 90 deputetë. /kp


​LVV-së nuk i “dhezi” me deputetët e LDK-së, Haziri: Ne jemi bashkë si parti

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri ka deklaruar se koalicioni i Lëvizjes Vetëvendosje, Listës Guxo dhe Alternativës, kanë kontaktuar me më shumë se dy deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës për t’i bindur që të jenë pjesë e saj, por se ata janë unik dhe veprojnë të bashkuar si LDK.

Sipas tij, koalicioni që ka dla i pari në zgjedhje, duhet ta kuptojë se veprimet për t’i bindur individualisht deputetët nuk krijon stabilitet politikë, pa një marrëveshje politike.

Haziri këto komente i bëri pasi për të 21 me radhë dështoi konstituimi i Kuvendit të Kosovës.

“Ka veprime por me deputetë individualisht. Kjo nuk e bën të besueshme një marrëveshje politike. Është legjitime që partia e parë me provuar që me i bind deputetët të bëhen pjesë e saj duke përfshirë transaksione, oferta dhe joshje politike por nuk krijon stabilitet, duhet të kuptojë partia e parë se pa një marrëveshje politike, pavarësisht me kënd , nuk ka stabilitet dhe nuk ka debllokim të situatës”, tha ai.

Haziri është pyetur edhe për kontaktimin që ka bërë koalicioni i parë, disa deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

“Përtej dyve më shumë janë kontaktuar por është çështje që edhe ato takime i kanë zbardhur vet, që nënkupton që LDK është unike, ne veprojmë bashkë politikisht dhe jemi të interesuar me i dhënë oksigjen politik krejt kësaj situate, kështu që gjendja jonë,raporti, statusi është shumë i qartë, ne jemi këtu, kemi bërë një ofertë për një qeveri kalimtare, nuk ka rrugë tjetër”, tha ai.

Ai tha se beson që racionaliteti politik do ta dërgojë drejt një marrëveshje politike për ta krijuar një shumicë dhe Kosova të debllokohet nga kjo marrje politike padrejtësisht. /kp


Kryeziu: S’po shohim reflektim nga partitë opozitare, po duan bllokadë sepse s’është çështja te emri i Albulena Haxhiut

Deputetja e Vetëvendosjes, Arbëreshë Kryeziu, ka akuzuar partitë tjera për bllokimin e Kuvendit të Kosovës.

Ajo ka përsëritur qëndrimet e partisë së saj se partitë s’po e njohin “të drejtën ekskluzive” të Vetëvendosjes për të propozuar një kandidat të tyre për kryerparlamentar.

“Atëher edhe sot e pamë veprimin e radhës, absurditetin e radhës të partive në Kuvend të cilat nuk morrën fare pjesë në votim në formimin e komisionit i cili e mundëson votimin e fshehtë, njejtë siç vepruan para disa javësh kur nuk votonin raportin verifikues të komisionit për verifikimin e mandadeteve që bllokoi për disa seanca procesin e ecjes tutje, njejtë bënë edhe sot pra njejt siç kanë bërë edhe për shumë seanca radhazi duke e vazhduar bllokimin e seancave të Kuvendit”, tha ajo.

Kryeziu deklaron se VV është e gatshme që ti përgjigjet kërkesës për të votuar pro formimit të komisionit, ku shton se kjo e mundëson votimin e fshehtë.

“Ndërkohë që e kemi parë që vazhdimisht i kanë arsyetimet e njëjta por ne siç kemi qenë në fillim, jemi dhe sot të gatshëm që ti përgjigjemi kërkesës për të votuar pro këtij formimi të këtij komisioni sepse mendojmë që është shumë e rëndësishme të dalim nga kjo bllokadë dhe të ecim tutje me konstitumin e Kuvendit fillimisht dhe pastaj në kalimin e procedurave të tjera. Fatkeqësisht, deri më tani nuk kemi parë ndonjë reflektim nga partitë opozitare. Përkundrazi, ato vazhdojnë të mbajnë të njëjtin qëndrim bllokues, duke refuzuar pjesëmarrjen në votim, edhe pse janë të vetëdijshme që ky proces nuk mund të ecë përpara pa pjesëmarrjen e tyre. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese kanë qenë të qarta: deputetët duhet të marrin pjesë në këtë proces dhe të japin kontributin e tyre në konstituimin e Kuvendit. Prandaj, është shqetësuese që pikërisht deputetët e këtyre partive po zgjedhin të mos marrin pjesë në votim, duke kontribuar më tej në vazhdimin e kësaj bllokade. Nuk e kuptojmë pse ne duhet t’i nënshtrohemi një procesi të tejzgjatur politik, në të cilin duhet të presim që të tjerët të vendosin se kush është fituesi i zgjedhjeve dhe pastaj të na japin të drejtën për të propozuar kandidatin për kryetar të Kuvendit. Kjo është një e drejtë ekskluzive e Lëvizjes Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve dhe nuk mund të funksionojmë nën kushtëzimet që po na vendosin partitë opozitare”, tha ajo.

“Kjo nuk është çështje emrash – nuk është problemi tek zonja Haxhiu apo ndonjë tjetër që mund të propozojë Vetëvendosje. Kjo është një arsye e krijuar për të mos e çuar përpara konstituimin e Kuvendit”, tha Kryeziu.

Deputetja e VV-së tha se PDK po vazhdon të shtojë emra në listën që nuk do t’i votonin për kryerparlamentar.

“Realisht, nuk është problemi te zonja Haxhiu– problemi është se ata nuk po duan të ecin përpara me konstituimin e Kuvendit dhe me procedurat e tjera institucionale. Ata po vazhdojnë me të njëjtat justifikime për javë të tëra, në vend se ta votojnë propozimin dhe ta vendosin vendin në rrugën e funksionalitetit institucional”, tha ajo.

Kryeziu deklaroi se nuk do të ndryshojnë në propozimin e tyre.

“Gjithashtu, jemi ende në pritje të një opinioni nga Gjykata Kushtetuese për çështje shumë të rëndësishme, përfshirë edhe procesin e numërimit të votave të mërgatës. Mendojmë se është thelbësore të kemi qartësi kushtetuese për të gjitha këto procese, në mënyrë që vendi të ecë përpara me institucione funksionale dhe një Kuvend që punon për qytetarët”, tha ajo. /21Media


Çitaku: Qytetarët nuk kanë votuar për bllokadë, i bëjmë thirrje Kurtit që të reflektoj

Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku pas dështimit të 21-të të konstituimit të Kuvendit i ka bërë thirrje kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit nga kjo konferencë që të reflektoj.

Sipas saj qytetarët e Kosovës nuk kanë votuar për bllokadë.

“Asgjë të re nuk pamë, Kosova dhe Institucionet e saj vazhdojnë të mbesin peng i kryeneqëisë së kryeministrit në detyrë, deputetit Albin Kurti edhe nga kjo konferencë këtu i bëjmë thirrje, i bëjmë ftesë që të reflektoj, qytetarët e Kosovës nuk kanë votuar për bllokadë, qytetarët e Kosovës kanë votuar për të ndërtuar institucione të reja të cilat do duhej të ballafaqoheshin me sfidat e qytetarëve. Fatëkeqësisht asgjë nuk është duke ndodhur, i bëjmë edhe njëher apel që të reflektoj që të ecim tutje, faleminderit shumë dhe kërkoj falje që nuk po kemi lajme ma të mira me ju dhanë”, tha Çitaku. /21Media


Dështon konstituimi i Kuvendit

Ka dështuar konstituimi i Kuvendit pas 21-të tentimeve me radhë.

Të dielën s’pati sërish kuorum për të votuar Komisionin për votim të fshehtë. Në sallë ishin 90 deputetë. Pro votuan 53 deputetë, një kundër. Seanca e ardhshme është caktuar për të martën me fillim nga ora 11:00.

Në 12 përpjekjet e fundit seanca ka dështuar te pika e njëjtë – propozimi i kryesuesit Avni Dehari, që nga votimi i hapur të kaluar në votim të fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit. Seanca e radhës do të mbahet të martën në ora 11:00. /21Media


Fillon seanca e 21-të për konstituimin e Kuvendit

Ka nisur seanca e 21-të me radhë për konstituimin e Kuvendit.

Kjo seancë është duke u drejtuar nga deputeti më i vjetër në moshë, Avni Dehari dhe deputetja më re në moshë, Sala Jashari. Në seancë të pranishëm janë 90 deputetë. /21Media


Qalaj: Nuk marrim pjesë në votim për shkak të një veprimi kundër kushtetues

Deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj ka thënë se PDK-ja nuk do të nuk merr pjesë në votim të fshehtë, ku shtoi se kjo është kundër kushtetues.

Sipas tij kandidatja e propozuar nuk do të kalojë.

“Kandidatja e propozuar nuk do të kalojë. Me sa unë kam informacione, s’ka as iniciativa nga ata që duhet të marrin iniciativa. Nuk marrim pjesë në votim për shkak të një veprimi kundër kushtetues, qasja e qeverisë për imponimin e një votimi të fshehtë është në kundërshtim. Ne në vazhdimësi jemi duke marr pjesë në çdo incitiatv. Dhe kushdo që merr iniciativë do të jemi prezent, por asnjëherë nuk bëjmë veprim që është në kundërshtim me Republikën e Kosovës”, tha ai para gazetarëve sot. /21Media


Kadrijaj: S’presim asnjë ndryshim, Vetëvendosje të ndryshojë kandidatin e qasjen e saj

Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj për konstituimin e Kuvendit ka thënë se nuk presin asnjë ndryshim, duke shtuar se ndryshimi mund të vie nga LVV.

Ajo tha se dalja nga ngërçi aktual do të ndodhte vetëm nëse Vetëvendosje ndërron qëndrimin e saj.

“Në fakt, s’po presim asnjë ndryshim, ndryshimi mundet me ardhë veç prej Lëvizjes Vetëvendosje, nëse e ndryshon kandidatin ose ndryshojmë qasjen, mu hek prej kësaj praktike për ndryshimin e formës së votimit, ndryshimi e kandidatit, besoj që do të kish qenë një zgjidhje, edhe zgjidhje e këtij ngërçe që është krijuar në Kuvendin e Kosovës. Së paku ne si Aleancë kemi dhënë alternativa, kemi dhënë emrat e kandidatëve që kishim votuar nga Lëvizja Vetëvendosje që kishim reflektuar edhe pse nuk është obligim një parti të tjera me votue kandidaten për kryparlamentare, sepse kandidatja për parlamentare do të votohet me ndonjë marrëveshje politike apo me ndonjë koalicion politik që e bën Lëvizja Vetëvendosje, po asnjëherë praktikat parlamentare nuk është votu për parlamentare për partive tjera”, tha Kadrijaj. /21Media


Bahtiri i VV-së: Jemi gjithmonë të gatshëm të japin kontribut për të zhbllokuar këtë situatë

Deputeti i LVV-së, Agim Bahtiri ka folur për tentimin e 21-të për konstituimin e Kuvendit.

Ai vlerëson se VV është gjithmonë e gatshme për zhbllokimin e kësaj situate.

“Ne jemi gjithmonë të gatshëm të japin kontribut për të zhbllokuar këtë situatë që e kemi. Ne jemi qdo herë pro, nuk kemi zhbllokues, duhet me ditë kush është bllokues”, tha ai.

Bahtiri i pyetur për ofertën e deputetës, Duda Balje për punësim në një universitet në Maqedoni, ai thotë se nuk është i njoftuar për këtë.

“Nuk jam i njoftuar për këtë, por ne po bëjmë përpjekje dhe po apelojmë të gjithë njerëzve të devotshëm, njerëz që ja dojnë të mirën këtij vendi e sidomos ata që e kanë marrë besimin e qytetarëve që të zhbllokojnë situatën, të ecim përpara sepse na pret shumë punë”, tha deputeti i LVV-së. /21Media


Sot tentimi i 21-të për konstituimin e Kuvendit

Pas 20 dështimeve, Kuvendi i Kosovës edhe këtë të diel do të mblidhen në përpjekjet e radhës për konstitumimin e legjislaturës së nëntë të dalë nga zgjedhje e 9 shkurtit.

Seanca është planifikuar të nisë nga ora 11:00.

Herën e fundit, më 23 maj, për të 12-ën herë dështoi formimi i një komisioni për mbikëqyrjen e një votimi të fshehtë për kreun e ri të organit ligjvënës.

Çështja e votimit të fshehtë – që u propozua më 1 maj nga kryesuesi i seancës, Avni Dehari, është dërguar në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës nga partitë që në legjislaturën e kaluar ishin në opozitë.

Partia fituese, Lëvizja Vetëvendosje, po këmbëngul në kandidaten e saj, Albulena Haxhiu, për postin e kryeparlamentares, e njëjta nuk po gjen mbështetje nga partitë tjera.

Këto parti i ka bërë thirrje Vetëvendosjes që të ndërrojë kandidaten dhe në vend të Haxhiut të kandidohet “një figurë konsensuale”.

Në deklarimet pas seancës së kaluar, përfaqësues të partive politike bënë me dije se qëndrimi i tyre nuk do të ndryshojë.

Deputetja nga lista e Vetëvendosjes, Donika Gërvalla, fajësoi deputetët e partive tjera për bllokadën në Kuvend.

Ajo tha se këta deputetë “që mendojnë se qytetarët e Kosovës s’e meritojnë këtë bllokadë që në seancën e ardhshme të votojnë për zhbllokim”.

Ndërkaq, nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, tha se Kosova është duke u mbajtur peng e kryeneçësisë së kryetarit të Vetëvendosjes, Albin Kurti, duke shtuar se partia e saj është pro hapjes së rrugës me ofrimin e alternativave të tyre.

Ronaldo ndjek historinë, Anglia sfidon Kroacinë në Kupën e Botës
LAJMI TJETËR →
Ronaldo ndjek historinë, Anglia sfidon Kroacinë në Kupën e Botës

Më të fundit

Të gjitha →