(Lajm i përditësuar)
“E kemi kaluar fruthin e fyerjeve të LVV-së”, Arifi
Avni Arifi nga AAK-ja ka deklaruar se kritikat dhe etiketimet nga anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje nuk e shqetësojnë atë dhe AAK-në.
Tutje Arifi tha se AAK-ja, sipas tij, tashmë e ka kaluar periudhën e përplasjeve dhe fyerjeve nga LVV-ja.
“Asnjë etiketim, asnjë fyerje nga anëtarët e VV-së nuk më bën përshtypje, sepse e kemi kaluar na në Aleancë fruthin e fyerjeve të LVV-së. Është e drejtë e jona demokratike me shku në opozitë”, tha Arifi.
“Nëse ka mendu me na ofru ndonjë sheqer…”, Arifi i drejtohet Kurtit
Avni Arifi nga AAK-ja në ”Click” të RTV21 ka deklaruar se partia e tij është përcaktuar për të qëndruar në opozitë dhe nuk është e interesuar për oferta apo privilegje politike në këmbim të mbështetjes.
Arifi tha se AAK-ja nuk ka nevojë për asnjë ofertë nga pushteti, ndërsa sa i përket zgjedhjes së presidentit, ai tha se qëndrimi i partisë është i qartë.
“Na jemi përcaktu për opozitë, nuk i nevojitemi fare. Nëse e ka pasë ndërmend me na ofru ndonjë privilegj ose ndonjë sheqer, nuk jemi të interesuar. Për presidentin i kemi treguar, nuk ka rëndësi fare me na taku, veç të thotë: i kam pranuar ato gjashtë kërkesa dhe i ka votat”, tha Arifi.
Arifi: Koha tregoi dallimet mes PDK-së dhe LDK-së
Avni Arifi nga AAK-ja në ”Click” të RTV21 ka thënë se dallimet mes PDK-së, LDK-së dhe AAK-së janë bërë më të dukshme në skenën politike, duke vlerësuar se bashkëpunimi mes këtyre partive është vështirësuar.
Tutje Arifi tha se në të kaluarën këto tri parti kanë arritur të bashkohen për projekte të caktuara dhe edhe në situata, sipas tij, më të vështira politike.
Megjithatë, ai tha se në rrethanat aktuale një bashkëpunim i tillë nuk ka funksionuar.
“Koha kallxoi që PDK-ja dallon shumë prej LDK-së, sikurse ka dalluar shumë njëkohësisht AAK-ja edhe nga PDK-ja edhe LDK-ja. Në të kaluarën, këto tri parti në projekte të caktuara kanë ditë me u bo bashkë edhe në situata më të rënda, në këtë kohë kanë dështuar”, tha Arifi.
“Kurgjo nuk po dojme prej Kurtit”, Arifi: Po përsëritet i njëjti skenar
Avni Arifi nga AAK-ja në ”Click” të RTV21 i ka cilësuar si një lloj “drame” takimet e fundit mes LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje.
Arifi tha se sipas tij, takimet mes dy subjekteve politike janë pjesë e një skenari që po përsëritet.
Ai theksoi se AAK-ja ka zgjedhur të qëndrojë në opozitë dhe se nuk ka interes për të hyrë në qeveri me Lëvizjen Vetëvendosje.
“Nuk jemi vetëpërjashtuar. Ne kemi zgjedhë mos me qenë në qeveri me ty, kemi zgjedhë me qenë në opozitë. Kurgjo nuk po dojme prej Kurtit”, tha Arifi.











