Prokuroria Themelore në Gjakovë sot ka informuar se ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit J.G., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale “Vrasje e rëndë” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Sipas aktakuzës, më 12 qershor 2021, në fshatin Sopniq, komuna e Rahovecit pikërisht në oborrin e shtëpisë së tij, i pandehuri me dashje ka privuar nga jeta tani të ndjerin, vëllain e tij, H.G.
Sipas prokurorisë, rasti ka ndodhur për shkak të mosmarrëveshjeve rreth disa bagëtive, ku viktima kishte shkuar me dy djemtë e tij në oborrin e të pandehurit dhe pas një fjalosjeje, i njëjti me armë zjarri e ka qëlluar dy herë vëllain e tij, tani të ndjerin, duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse.
“Po ashtu, i pandehuri J.G., më parë e deri më 12 qershor 2021, pa autorizim, ka mbajtur armë dhe municion në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët, ku të njëjtat i janë konfiskuar nga ana e policisë. Me këto veprime, ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, paragraf 1 i KPRK-së.”, ka informuar prokuroria.
Prokurori i rastit i ka propozuar Gjykatës kompetente, që i pandehuri J.G., të dënohet sipas ligjit për veprat penale të cilat i vihen në barrë./21Media







