Epoka e ngrohjes globale ka përfunduar dhe “epoka e vlimit global ka ardhur”, tha sekretari i përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, pasi shkencëtarët konfirmuan se korriku është në rrugë për të qenë muaji më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë.
“Ndryshimi i klimës është këtu. Është e frikshme. Dhe është vetëm fillimi”, tha Guterres.
“Është ende e mundur të kufizohet rritja e temperaturës globale në 1.5 gradë Celsius dhe të shmanget ndryshimi më i keq i klimës. Por vetëm me veprim dramatik dhe të menjëhershëm klimatik”, shtoi ai.
Komentet e Guterres erdhën pasi shkencëtarët konfirmuan të enjten se tre javët e fundit kanë qenë më të nxehtat që nga fillimi i regjistrimeve.
Temperaturat globale këtë muaj kanë thyer rekorde, sipas Organizatës Botërore Meteorologjike (WMO) dhe programit të BE-së për vëzhgimin e Tokës Copernicus, të nxitura nga djegia e lëndëve djegëse fosile.
Rritja e vazhdueshme e temperaturave mesatare globale, e nxitur nga ndotja që bllokon rrezet e diellit dhe vepron si një serë rreth Tokës, ka përkeqësuar ekstremet e motit. /21Media










