Haradinaj: Shumica e deputetëve kanë të drejtë edhe ta bojkotojnë tash Kuvendin
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj tha se deputetët kanë të drejtë që ta bojkotojnë Kuvendin. Para fillimit të seancës konstituive – tentimi i 30-të për konstituim – Haradinaj tha se po e humbin kohën kot dhe “po torturohet populli në emër të një individi”.
Haradinaj tha para mediave se është për keqardhje situata aktuale, dhe se po presin vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
“Shumica e deputetëve kanë të drejtë edhe të bojkotojnë tash Kuvendin, edhe po duket që jemi duke shkuar drejt zgjedhjeve. Kur do të merret epilog tash ta shohim edhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese që pritet të del shpejt mund të japë një drejtim të caktuar. Është për keqardhje në çfarë situate jemi, por kjo është e vërteta. Ky është realiteti dhe kështu siç duket edhe po i konvenon qeverisë aktuale”, deklaroi Haradinaj.
“Unë kam munguar në disa seanca duke menduar që edhe një pjesë tjetër e deputetëve të opozitës do ta bojkotojnë. Por, duke e parë siç po ndodhë po vijmë dhe po dalim kurrgjë kurrkujt. Po e humbin kohën kot dhe po e torturojmë popullin pa asnjë arsye në emër të një individi që nuk po ndërrohet ai kandidati”, shtoi ai.











