Haxhiu dekreton 17 gjyqtarë: Të jeni të pavarur nga çdo ndikim politik e financiar
Ushtruesja e Detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, ka dekretuar sot 17 gjyqtarë me mandat fillestar, bazuar në propozimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës.
Nga gjyqtarët e dekretuar, 15 janë nga komuniteti shqiptar dhe 2 nga komuniteti serb.
Në njoftimin e Presidencës thuhet se gjyqtarët e rinj u zotuan se do t’i qëndrojnë besnikë Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Kosovës, do të respektojnë etikën profesionale dhe do ta ushtrojnë detyrën e tyre me integritet, profesionalizëm dhe paanshmëri.
“U.D. Presidentja Haxhiu theksoi se marrja e detyrës së gjyqtarit është përgjegjësi e madhe publike, sepse vendimet gjyqësore prekin drejtpërdrejt jetën e qytetarëve. Ajo uroi që gjatë mandatit të tyre gjyqtarët të jenë të pavarur nga çdo ndikim politik, financiar apo personal, duke theksuar se drejtësia nuk negociohet”, thuhet në njoftim.











