Hoti: Binomi fatkeq Kurti-Osmani po e kthejnë Kosovën në problem të sigurisë evropiane
Deputeti nga radhët e LDK-së, Avdullah Hoti, i ka quajtur presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti “binomi fatkeq të Kosovës”, duke thënë se shkaku i tyre, Kosova po kthehet në problem të sigurisë evropiane dhe perëndimore.
“Ta kemi të qartë: Kosova nuk mund të qeveriset nga një kryeministër dhe presidente që i sjellin Kosovës sanksione nga aleatët në vend të integrimit euro-atlantik”, shkroi Hoti në Facebook.
“Izolimi dhe sanksionet janë shkatërruese për Kosovën. Edhe me mbështetjen e plotë nga ShBA dhe vendet kryesore të BE-se, Kosova ka vështirësi në integrimin euro-atlantik për shkak të kundërshtimeve të vendeve të caktuara. Pa këtë mbështetje, është i pamundur çfarëdo progresi. Ndërkaq, me sanksione dhe izolim që pason, as status quo-në ekzistuese nuk mund ta ruajmë. Me të gjitha sfidat që ka pasur, Kosova nga viti 2008 ka qenë një vend që ka promovuar normalitet e paqe, një shtet i ri demokratik që ka kërkuar mbështetjen e partnerëve për integrim euro-atkantik. Ndërkaq, tani është e qartë për të gjithë se me politikën e jashtme jo-perëndimore të binomit fatkeq të Kosovës, Kurti-Osmani, Kosova po kthehet në problem të sigurisë evropiane dhe perëndimore”, deklaroi ish-kryeministri. /21Media











