🇽🇰 Kosova
Humb jetën një punëtor në Kamenicë, u rrëzua pasi humbi ndjenjat
nga Gentrita Xhemajli29 maj 2026
Një person ka humbur jetën të enjten në Kamenicë, derisa ishte duke punuar.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, rasti ka ndodhur më 28 maj rreth orës 17:46.
“Është raportuar se viktima mashkull kosovar, derisa ishte duke punuar, ka humbur ndjenjat dhe ka rënë në tokë”, thuhet në raportin policor.
Viktima fillimisht është dërguar në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF), ku mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e tij.
Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion, ndërsa rasti po hetohet nga organet kompetente.











