Një person ka vdekur si pasojë e lëndimeve të marra nga rrëzimi i një vinçi në një punishte ndërtimi në zonën e Lagjes së Spitalit në Prishtinë.
Fillimisht ishte raportuar se nga ky incident kishin mbetur të lënduar dy persona, ndërsa njëri prej tyre nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve.
Rastin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Enis Pllana.
“Lidhur me rastin në fjalë, ju njoftojmë se dy persona kanë pësuar lëndime trupore dhe janë dërguar për trajtim mjekësor. Si pasojë e lëndimeve, njëri nga ta nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve dhe ka ndërruar jetë. Vdekja e tij është konstatuar nga ekipa mjekësore në QKUK”, ka deklaruar Pllana.
Ai ka bërë të ditur se njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme, ndërsa hetimet kanë nisur për zbardhjen e plotë të rrethanave.
“Aktualisht, njësitet relevante policore, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, kanë filluar hetimet për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit”, ka shtuar Pllana.








