Moti…🇦🇱 SQ🇬🇧 EN🔎 Kërko
RTV21
BallinaKosova
🇽🇰 Kosova

IKD-ja thotë se deputetët e VV-së shkelën Kushtetutën

nga Venera Grabanica17 tetor 2024
IKD-ja thotë se deputetët e VV-së shkelën Kushtetutën

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka thënë se deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë shkelur Kushtetutën duke bojkotuar tre seancat e jashtëzakonshme të thirrur nga opozita.

Deputetët e pushtetit bojkotuan seancën për komunikimet e Mimoza Kusari-Lilës me kryeterroristin Milan Radoiçiq, për mungesën e ushqimin në Forcën e Sigurisë (FSK) dhe për procesin e përllogaritjes së borxheve të kompanive ambalazhuese të ujit dhe mënyrën e shlyerjes së këtyre borxheve nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

Përkundër interesit publik për debat parlamentar për çështjet e lartpërmendura, IKD-ja ka thënë se shumica parlamentare, e përfaqësuar nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, ka refuzuar të marrë pjesë në seancat e jashtëzakonshme, pa asnjë arsyetim legjitim dhe të besueshëm. Ky bojkot, sipas tyre, përbën shkelje të besimit të qytetarëve dhe detyrave dhe përgjegjësive si deputet i Kuvendit dhe si partia më e madhe parlamentare.

“Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) shpreh shqetësim të thellë për këtë situatë dhe kërkon nga LVV të largohet nga rruga e bojkotit kundërkushtetues.  Kjo praktikë dhe qasje e LVV është e pazakontë dhe cenon rëndë vlerat demokratike të Republikës se Kosovës.  IKD konsideron se debatet parlamentare janë shtyllë e rëndësishme e demokracisë dhe përfaqësimit demokratik,  deputetët e shumicës parlamentare e kanë obligim  të marrin pjesë në mënyrë aktive në diskutimin e çështjeve që prekin interesat e qytetarëve dhe të shtetit. Bojkoti i seancave parlamentare dëmton jo vetëm integritetin e Kuvendit por edhe injorim ndaj qytetarëve të Kosovës”, thuhet në reagim.

Deputeti, siç shkruan IKD-ja, ka detyrimin të respektojë dispozitat kushtetuese dhe ligjin, të cilat përbëjnë bazën e funksionimit të një shoqërie demokratike. Ky obligim e vendos deputetin “në një rol të rëndësishëm, ku veprimet dhe vendimet e tij duhet të reflektojnë vlerat dhe parimet e shtetit ligjor”.

IKD-ja u ka bërë thirrje të gjitha partive politike të përmbushin detyrimet që rrjedhin nga Kushtetuta, “ligjet e aplikueshme dhe obligimet ndaj qytetarëve të Kosovës dhe vlerave demokratike që Republika e Kosovës i ka marr përsipër në rrugën e saj drejt integrimit evropian”.

Ronaldo ndjek historinë, Anglia sfidon Kroacinë në Kupën e Botës
LAJMI TJETËR →
Ronaldo ndjek historinë, Anglia sfidon Kroacinë në Kupën e Botës

Më të fundit

Të gjitha →