(Lajm i përditësuar)
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka treguar se në Kosovë do të dislokohen 700 trupa nga Forca Rezervë Operacionale për Ballkanin Perëndimor për në Kosovë.
Stoltenberg ka thënë se po ashtu do të vendoset në gatishmëri të lartë edhe një batalion shtesë.
“Ne do të vazhdojmë të veprojmë sipas mandatit që buron nga OKB-ja. Ne kemi vendosur të dislokojmë 700 trupa shtesë nga Forca Operacionale Rezervë për Ballkanin Perëndimor. Po ashtu kemi vendosur në gatishmëri një batalion shtesë, që të zhvendoset nëse duhet. Këto janë hapa për të garantuar se KFOR-i ka forcën dhe aftësinë për të vepruar sipas mandatit që e ka”, ka thënë Stoltenberg.
Stoltenberg: Dhuna e kthen Kosovën prapa
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se sulmet ndaj ushtarëve të KFOR-it janë të papranueshme dhe duhet të ndalen menjëherë.
Mes tjerash ai pati edhe një paralajmërim që dhuna, nuk i sjell progres Kosovës.
”Dhuna kthen Kosovën, prapa e po ashtu të gjithë rajonin. I vendos në rrezik aspiratat euroatlantike”, tha ai.
Stoltenberg bëri thirrje po ashtu se Prishtina dhe Beogradi, urgjent duhet të marrin hapa konkret, në depërshkallëzimin e situatës.











