RTV21
BallinaKosova
🇽🇰 Kosova

KQZ-ja krijon komision për vlerësimin e fletëvotimeve në Mitrovicë dhe Gjakovë

nga Venera Grabanica12 nëntor 2025
KQZ-ja krijon komision për vlerësimin e fletëvotimeve në Mitrovicë dhe Gjakovë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sot mori vendim për themelimin e një komisioni për vlerësim të fletëvotimeve dhe përputhjes së numrit të fletëvotimeve në vendvotime për raundin e dytë për kryetar të Mitrovicë së Jugut dhe Gjakovës, pavarësisht kundërshtimit nga PDK-ja, e cila këmbëngul për rivotim në Mitrovicë.

Drejtori i Sekretariatit të KQZ-së, Besnik Buzhala rekomandoi formimin e një komisioni të tillë, pas pranimit të materialeve zgjedhore nga KKZ-ja.

“Rekomandojmë formimin e komisionit, i cili do të bëjë vlerësimin e fletëvotimeve dhe përputhjes së numrit të tyre në Qendrën e Numërimit të Rezultatit, pas pranimit të materialeve zgjedhore nga KKZ, me qëllim që të realizohet një vlerësim i detajuar lidhur me fletëvotimin e përdoruara dhe ato të papërdorura dhe numrin e përgjithshëm të fletëvotimeve në komunat Mitrovicë dhe Gjakovë, si dhe komunave të tjera është e nevojshme vendimmarrja e formimit të komisionit”, tha Buzhala.

Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi bëri të qartë për publikun se KQZ-ja ka pranuar një raport nga kompania që ka shtypur fletëvotimet, në të cilin kanë pranuar gabimet në të gjitha dengjet të fletëvotimeve të printuara.

Ai tha se është e rëndësishme që këtë raport, komisioni ta trajtojë me përputhje me fletëvotimet në kutitë e votimit për Mitrovicë dhe Gjakovë.

“Kemi pranuar edhe një raport nga kompania (për shtypjen e fletëvotimeve) për të gjitha komunat që i kanë pranuar dhe i saktësojnë të gjitha gabimet në të gjitha dengjet të fletëvotimeve të printuara, ku rezulton që këto dengje janë votat e fundit, apo dy votat e fundit që kanë pasur numra të vendvotimeve të ndryshme, por edhe disa prej tyre të zbrazëta. Është e rëndësishme që këtë raport, komisioni që është propozuar në rekomandim, ta trajtojë me përputhje me fletëvotime në kutitë e votimit që gjenden tani të mbyllura për Mitrovicë dhe Gjakovë”, tha Radoniqi.

Anëtari i KQZ-së nga PDK-ja, Arianit Elshani tha se nuk është pranuar asnjë raport zyrtar nga kompania në fjalë, përveç një komunikate që iu është dhëne edhe publikut.

Elshani tha se deri në këto zgjedhje asnjëherë nuk është iniciuar krijimi i një komisioni të tillë pa një kërkesë nga PZAP-ja, duke i konsideruar se ato janë jashtë kompetencave të KQZ-së. Ai kërkoi që komuna e Mitrovicë së Jugut të shkojë në rivotim.

“Nuk kemi pranuar asnjë raport zyrtarë nga kompania në fjalë, një komunikatë që iu është dhënë edhe publikut për të cilën nuk shprehen detajisht të gjitha gabimet. Kemi nevojë për raporte voluminoze. Si përfaqësues i PDK në KQZ, duke marrë në konsideratë disa palë të zgjedhjeve e di se në asnjë rast, kurdo që keni pasur ankesë, në PZAP nuk janë iniciuar krijimet e komisioneve të analizave apo hetimore përgatitëse prej KQZ-së pa një kërkesë nga PZAP-ja. Këto analiza dhe raporte që e përfshijnë, konsideroj që janë një hap prej kompetencave që ka KQZ…Konsideroj që duhet të shikohen mirë dhe trajtohen mirë, edhe qytetarët në Mitrovicë konsiderojnë që është cenuar integriteti zgjedhor dhe meqenëse kërkesa është për rivotim pres që të kemi një kërkesë të tillë për komisione të tilla”, tha Elshani.

Edhe anëtari tjetër i PDK-së, Ilir Gashi drejtuar kryetarit të KQZ-së tha se është mirë të tregohet nëse ka kërkesë nga Prokuroria apo PZAP-ja për hetimin e rastit.

“Është mirë të tregoni nëse keni një kërkesë nga Prokuroria që të bëhet një hetim të tillë, ose PZAP ka kërkuar në bazë të ankesave të bëhet një hetim të tillë. Ne parimisht nuk jemi kundër çdo verifikimi, thjeshtë verifikimet zakonisht janë bërë pas procesit zgjedhor. Do të duhej të hetoheshin nga vetë Prokuroria apo ndonjë komision i bërë nga PZAP, këtë çështje mendoj që janë këto dy organe që do duhej të krijojnë komisionin për ta hetuar sepse është shumë e ndjeshme… KQZ ka paraparë një rregullore, ne kemi paraparë që në çdo vendvotim t’i përshtatet fletëvotimin me kodin serik dhe një nga arsyet kryesore se pse është vendos që secili vendvotim ta ketë numrin serik është për shkak që të ndalet ‘treni bullgar’, i cili fatkeqësisht funksionon në Kosovë”, tha Gashi.

Anëtari i KQZ-së nga Vetëvendosja, Alban Krasniqi tha se ka fletëvotime që janë shtypur me gabime njëjtë si në rastin e Mitrovicës dhe Gjakovës.

“Nga ju u tha dhe është mirë që kjo të shndërrohet në një komunikim publik që kemi fletëvotime që janë shtypur me gabime njëjtë si në rastin në Mitrovicë e Gjakovë. Kjo është mirë që të bëhet sa më parë publike, mirëpo jemi në një gjendje të një ankesë që është bërë dhe duhet të dinë edhe institucionet tjera, këto gabime teknike që janë bërë të jenë transparente ai proces që të mos ketë asnjë keqkuptim, se nuk ka asgjë më tepër sesa këto që janë thënë edhe nga KQZ dhe nga kompania”, tha Krasniqi.

Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi iu kundërpërgjigj Krasniqit duke thënë se për komunat e tjera do të merren mostra se a ka qenë një trend i njëjtë edhe në komuna të tjera që kanë qenë në balotazh.

Për raportin tha se është për KQZ-në dhe Prokurorinë, për shkak se kjo çështje është hapur edhe në Prokurori.

“Për komuna tjera do merren mostra se a ka qenë një trend i njëjtë, është paraqitur rastis për Gjakovë nga këshillat e vendvotimeve ditën e votimit, ndërsa për Mitrovicë në mbrëmje dhe ka vazhduar edhe ditën e nesërme. Për komunat tjera duhet të shikojmë mostrat. Raporti nuk është për PZAP por për ne, së dyti është për Prokurorinë për shkak se kjo çështje në mbrëmjen e së mërkurës është hapur në prokurori, raporti duhet të jetë i detajuar për ne, për prokurorinë por edhe PZAP”, tha Radoniqi.

Anëtari tjetër i VV-së në KQZ, Sami Kurteshi u shpreh se PDK-ja nuk po pranon rezultatet pas zgjedhjeve në komunën e Mitrovicës së Jugut. Ai ishte pro krijimit të komisionit, që sipas tij në mënyrë profesionale të bëhet hetimi i të gjitha kutive.

“A ka dikush në KQZ apo në publik kundër raporteve të detajuar për çka ka ngjarë, kundër transparencë a ka dikush diçka, nuk ka kurrkush nuk po shoh ndonjë dorë. Nuk është i lënduar procesi në Mitrovicë, një grup njerëzisht i organizuar, i orkestruar shumë mirë ka dalë dhe ka kundërshtuar, është krijuar një standard i pa shkruar në Kosovës, partitë politike i pranojnë rezultatet pas zgjedhjeve, tash po del se nuk i pranojnë, pjesë e atij standardi është edhe PDK. Tani nuk po vlen ai standard, a ka dikush kundër transparencës së plotë, një raport i detajuar duhet vërtetuar për KQZ-në, PZAP. Unë pajtohem që të krijohet komisioni që në mënyrë profesionale e bënë hetimin e të gjithave kutive”, tha Kurteshi.

Sipas KQZ-së, komisioni për vlerësim të fletëvotimeve dhe përputhjes së numrit të fletëvotimeve në vendvotime për raundin e dytë për kryetar të Mitrovicë së Jugut dhe Gjakovë, do të bëjë vlerësimin dhe verifikimin e fletëvotimeve dhe përputhjes së tyre në QNR, pas pranimit nga Komisionet Komunale të Zgjedhjeve.

Po ashtu, puna e këtij komisioni do të jetë në funksion të përgjigjes për Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa pas ankesës së parashtruar në këtë institucion lidhur me zgjedhjet e raundit të dytë për kryetar të Mitrovicës së Jugut.

KRU “Mitrovica”: Punonjësit u përballën me dhunë, ndaj ekipit u përdor armë zjarri
LAJMI TJETËR →
KRU “Mitrovica”: Punonjësit u përballën me dhunë, ndaj ekipit u përdor armë zjarri

Më të fundit

Të gjitha →