KQZ: Procesi i votimit përfundoi pa incidente, rezultatet dalin sonte
Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Kreshnik Radoniqi, njoftoi se procesi i votimit ka përfunduar në orën 19:00 dhe se zgjedhjet janë zhvilluar në një atmosferë të qetë dhe pa incidente.
Në konferencën për media pas mbylljes së vendvotimeve, Radoniqi falënderoi institucionet që kontribuuan në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.
“Procesi i votimit ka përfunduar në orën 19:00. Procesi zgjedhor është zhvilluar në rregull, pa incidente. Në emër të KQZ-së falënderojmë Policinë e Kosovës, Prokurorinë dhe KEDS-in për bashkëpunimin dhe angazhimin e tyre”, tha Radoniqi.
Ai bëri të ditur se sipas të dhënave preliminare, pjesëmarrja në votime ka qenë 36.33 për qind.
“Numri i qytetarëve me të drejtë vote që kanë votuar është 36.33 për qind”, deklaroi Radoniqi.
KQZ pritet të publikojë gjatë orëve në vijim të dhëna të tjera lidhur me procesin zgjedhor dhe rezultatet preliminare.











