(Lajm i përditësuar)
S’ka numra në Kuvend, përfundon seanca
Deputetët e tri partive opozitare, PDK, LDK dhe AAK-së nuk kanë marrë pjesë në vazhdimin e seancës plenare. Derisa deputetët e PDK-së dhe AAK-së nuk janë kthyer fare në seancë pas pauzës dy orëshe, deputetët e LDK-së lëshuan sallën e seancave plenare kur u konstatua se vetëm 53 deputetë janë nga mazhoranca.
I vetmi nga PDK-ja që u paraqit ishte deputeti Abelard Tahiri i cili njoftoi se s’do të marrin pjesë në punimet e kësaj seance për shkak të mosvotimit nga mazhorancës për rezolutën për mbështetjen e Policisë së Kosovës.
“Meqenëse s’është votuar rezoluta për mbështetjen e Policisë së Kosovës në tri pika jashtëzakonisht të rëndësishme, si grup parlamentar i PDK-së refuzojmë të marrin pjesë më tutje në punimet e kësaj seance. Konsiderojmë se sot për sot nuk ka gjë më të rëndësishme që të jemi bashkë për Policinë e Kosovës”, tha ai.
Më kritik ndaj ekzekutivit dhe mazhorancës u shpreh shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, i cili tha se të njëjtin nuk kanë numra për të qeverisur dhe miratuar ligjet edhe me shumicë të thjeshtë parlamentare.
Ai kërkoi një kompromis politik pasi tha se Kuvendi ka hyrë në një rrugë pa zgjidhje, ku qeveria s’ka numra në Kuvend, por as opozita s’i ka votat e nevojshme për ta rrëzuar ekzekutivit.
Madje ai i propozoi qeverisë të zgjeroi koalicionin qeverisës ose të shpërndahet Kuvendi.
Gashi Ju s’keni numra me qeverisë dhe ne s’kemi për t’iu rrëzuar, duhet një kompromis politik
Video:
“Ajo çka po shihet sot dhe në vazhdimësi janë dy të vërteta që duhet t’i themi haptazi. E vërteta është se ju nuk keni numra për me qeverisë dhe po ashtu e vërteta është se ne nuk kemi numra për me iu rrëzu. Prandaj duhet një kompromis politik për me dalë prej kësaj situate. Nëse një shumicë parlamentare për disa seanca me radhë nuk është në gjendje me kalu ligjet me shumicë të thjeshtë kjo nënkupton se ne duhet të jemi të përgjegjshëm institucionalisht, përgjegjshëm politikisht dhe të vetëdijshëm për barrën politike që e kemi. Ne duhet të ulemi të diskutojmë se si të shkohet përpara. Cila janë zgjidhjet e mundshme? Zgjidhja e parë gjithmonë janë zgjedhjet, zgjidhja e dytë është zgjerimi i koalicionit të juve që është çështje e juaj dhe zgjidhja e tretë është shpërndarja e Kuvendit. Nuk ka zgjidhje të tjera”, theksoi Gashi.
Pas lëshimit të sallës edhe nga deputetët e LDK-së, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, mbylli punimet e seancës plenare, derisa pati një porosi edhe për mazhorancën.
“Ju liroj prej Kuvendit të Kosovës, kur të bëheni 61, tregoni”, tha ai.
Në rend të ditës për shqyrtim sot ishin disa projektligje, dy marrëveshje ndërkombëtare dhe zgjedhja e disa anëtarëve në institucione që mbikëqyren nga legjislativi
Opozita i reagon Kurtit: Je shembulli më i keq i opozitarit që e ka pasur Kosova
Partitë opozitare në Kuvendin e Kosovës, PDK, LDK dhe AAK i kanë reaguar kryeministrit Albin Kurti pas kritikave të tij për mosvotimin e marrëveshjeve ndërkombëtare nga opozita.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, tha se Albin Kurti është shembulli më i keq i opozitarit që ka pasur Kosova.
Ai e akuzoi Kurtin se e ka bërë Kosovën joserioze në raport me partnerët ndërkombëtar, derisa tha se për shkak të masave ndëshkuese të BE-së janë pezulluar të gjitha ndihmat financiare ndaj vendit.
“Këtë shtet nëse e ka bërë të duket joserioz dikush me partnerët ndërkombëtar jeni ju personalisht. Nuk ka asnjë përgjegjësi opozita për faktin se ne jemi nën masa ndëshkuese sanksionuese nga Bashkimi Evropian por edhe nga ShBA-ja. Jeni ju personalisht dhe qeveria juaj. Po kërkoni konstruktivet nga opozita kur qasja juaj mund të jetë gjithçka por vetëm konstruktive s’ka qenë që nga dita kur e keni marrë detyrën e kryeministrit. Jo vetëm në raport me përfaqësuesit e qytetarëve nga opozita por para se gjithash në raport me qytetarët…I kemi gati 500 milionë euro që i kemi votuar në Kuvend si opozitë bashkë me shumicën dhe çka po ndodh me to. Nuk keni filluar as me i implementuar gjysmën e tyre”, tha ai.
Ndërkaq, deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, tha se i votojnë marrëveshjet ndërkombëtare përveç njërës që sipas tij është në dëm të buxhetit të vendit.
“Ne i votojmë marrëveshjet ndërkombëtare. Një marrëveshje ndërkombëtare nuk e votojmë dhe ajo është në disfavor të buxhetit të Republikës së Kosovës. Andaj vazhdoni me sfilata, vazhdoni me populizëm dhe demagogji por kjo nuk iu bënë nder”, deklaroi Zemaj.
Kritike ndaj Kurtit ishte edhe deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, e cila tha se mazhoranca nuk e ka përkrahur asnjë nismë të opozitës dhe sipas saj kërkon mbështetje vetëm kur iu nevojitet.
“Cila nismë e opozitës e keni votuar dhe përkrahur. Edhe nëse s’ka pas asgjë politike ju asnjëherë nuk keni votuar. A po na shihni neve si opozitë veç për vota kur ju nevojitet qeverisë. Ju rezolutën paraprake për Policinë e Kosovës në situatën që gjendet Kosova dhe policët po kërkojmë përkrahje ju nuk e votuan. Atëherë për çka po e akuzoni opozitën dhe kjo është turp”, tha ajo.
Quni-deputetëve të VV-së: Për ju, vetëm luftëtari i vdekur është i mirë
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Quni ka reaguar ndaj kolegëve të tij, veçanërisht ndaj atyre të Lëvizjes Vetëvendosje, në seancën e së enjtes në Kuvendin e Kosovës.
Quni ishte i nervozuar me mosvotimin e Fadil Hadërgjonajt si komisioner parlamentar për Forcën e Sigurisë së Kosovës.
“Shumica prej jush vizitoni ushtarët të rënë në beteja, por një pjesë e juaja nuk e keni në zemër, nuk keni dhembshuri për ato ngjarje. E keni farsë dhe mashtrim. Ju që nuk votuat apo që fletëvotimet i bëtë të pavlefshme, jeni vetë të pavlefshëm. E kuptoj pse Fadili është gjallë, që ju të përballeni me testin e së vërtetës dhe të kuptoni se sa të pavlefshëm dhe të pamoralshëm jeni. Për ju, vetëm luftëtari i vdekur është i mirë. Do t’iu mbulojë turpi para familjeve tua dhe atyre që ju besuan. Fadilit në luftë e në paqe, prindërit ia kanë besu jetën e fëmijëve të tyre dhe ju nuk ja besuat që si komisioner të kujdeset për ushtarët tanë”, ka shtuar ai.
Kurti kritika opozitës pasi s’po voton marrëveshjet ndërkombëtare
S’votohet përfshirja e Konventës së OKB-së për persona me aftësi të kufizuara në Kushtetutë
Kuvendi i Kosovës ka shqyrtuar por ka dështuar ta votojë përfshirjen e Konventës së OKB-së për personat me aftësi të kufizuar në nenin 22 të Kushtetutës.
Deuptetët përkrahin amendamentin për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara
Pozitë dhe opozitë po përkrahin propozim amendamentin që lidhet me të drejtat e personave me aftësi të kufizuara.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka ftuar deputetët që të votojnë amendamentin kushtetutues që mundëson përfshirjen e Konventës së Kombeve të Bashkuara për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara në nenin 22 të kushtetutës.
Vitia në seancë plenare tha se respektimi i lirive dhe të drejtave themelore të garantuara me kushtetutë dhe instrumente ndërkombëtare për të drejtat e njeriut zbatohen ndaj të gjithëve pa dallim.
“Neni 22 i kushtetutës së Republikës së Kosovës liston instrumentet ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut që aplikohen drejtpërdrejt në sistemin tonë juridik dhe kanë suplamaci mbi legjislacionin vendor. Sot po propozohet përfshirja e konventës së Kombeve të Bashkuara për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara në listën e instrumenteve ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut të garantuara me kushtetutë si amandament kushtetutes. Pra një e drejtë që është ndërkombëtarisht e njohur, të normohet edhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës duke bërë amandamentimin e saj”, tha Vitia.
Ai shtoi se sistemi kushtetutes i Kosovës i ka vënë vetës detyrë parësore që t’i përmbahet detyrimeve sipas të drejtës ndërkombëtare, duke iu dhënë prioritet traktateve ndërkombëtare.
“Konventa e Kombeve të Bashkuara për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara, fuqizon pasqyrën kushtetuese dhe ligjore, për sa i përket mbrojtjes dhe avancimit të personave me aftësi të kufizuara në të gjitha fushat. Andaj marrë parasysh sa i rëndësishëm është ky amendamentin, ju lutem dhe ju ftojë që ta votoni këtë ndryshim kushtetues”, shtoi Vitia.
Kryetari i Komisionit për Legjislacion, Adnan Rrustemi ka ftuar deputetët që amendamenti i propozuar nga qeveria të miratohet.
“Komisioni për Legjislacion ka shqyrtuar amendamentin kushtetues numër 27 që ka të bëjë me përfshirjen e Konventës së Kombeve të Bashkuara për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara dhe nenin 22 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Komisioni përkrah amendamentin e propozuar numër 27 për amendamentin e kushtetutës, i vlerësuar me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, i cili ka konstatuar që amendamenti nuk pakëson në asnjë mënyrë të drejtat e njeriut, përkundrazi avancon dhe zhvillon ato”, u shpreh ai.
E shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri theksoi se shteti duhet të angazhohet më shumë që këta persona të jenë pjesë e institucioneve.
“Në emër të GP-së së PDK-së mbështesim dhe përkrahim shqyrtim propozimin e amendamentit kushtetues 27, që e propozon Qeveria e Kosovës. Konsiderojmë që një amendament i tillë është jashtëzakonisht i rëndësishëm, për mbështetjen e personave me aftësi të kufizuara në Republikën e Kosovës. Mirëpo, konsiderojmë që kjo nuk duhet të mbetet thjesht në plotësim-ndryshimin e dokumenteve, duke filluar nga kushtetuta e Republikës së Kosovës, si dokumenti më i rëndësishëm i republikës sonë, pastaj ligjeve, rregulloreve dhe kështu me radhë. Mirëpo, duhet të kemi një angazhim më të madh, konkret në përkrahjen financiare të këtyre personave”, deklaroi Tahiri.
Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës ka përkrahur propozimin e ekzekutivit, por deputeti Driton Selmanaj tha se duhet të ketë veprime konkrete për përkujdesje maksimale ndaj kësaj kategorie.
“Grupi i Lidhja Demokratike e Kosovës e vlerëson iniciativën që Konventa e Kombeve të Bashkuara për personat me aftësi të kufizuara të bëhet pjesë e listës së marrëveshjeve ndërkombëtare dhe instrumenteve ndërkombëtare, të cilat kanë privalim juridik mbi çdo akt tjetër që ka miratuar dhe miratojnë institucionet e Kosovës. Po ashtu, vlerëson edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila konsideron me aktgjykimin e saj që kjo nismë nuk cenon ose nuk pakëson liritë dhe të drejtat e njeriut të cilat janë të përcaktuara me kapitullin 2 të kushtetutës”, u shpreh ai.
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri tha se kjo nuk do të kalojë për shkak të bllokadës së Listës Serbe.
“Kemi një bojkotim të deputetëve të Listës Serbe. Andaj cila është detyra jonë si deputetë, përveç fjalëve të mira që i flasim dhe si qeveri, si kryeministër të veprojmë në këtë temë që jemi sot. Ne e dimë që viti 2022 ka qenë viti i personave me aftësi të kufizuara, për vitin 2022 janë bërë disa veprime. Në vitin 2023 po tentojmë ta amendamentojmë por fatkeqësisht nuk do të mundemi”, përfundoi ai.
Ai propozoi që viti i ardhshëm të jetë viti veprues për personat me aftësi të kufizuara.
Kuvendi i Kosovës sot mban dy seanca plenare
Kuvendi i Kosovës njoftoi se sot mban dy seanca plenare.
Fillimisht duke filluar nga ora 10:00 bëhet shqyrtimi i Propozim-amendamentit Kushtetues nr.27.
Më pas nga ora 10:30 vazhdon seanca tjetër, ku pritet të ketë edhe deklarime jashtë rendit të ditës.
Miratimi i procesverbalit nga Seanca plenare e mëparshme,
Deklarimet jashtë rendit të ditës,
Votimi i Projektligjit nr.08/L-251 për ratifikimin e Marrëveshjes së financimit në mes të Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Bankës Evropiane për
Investime për projektin “Rehabilitimi i linjës hekurudhore 10 B”,
Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-252 për ratifikimin e Marrëveshjes në mes Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe Deutsche Gesellschaft für Zusammenarbeit (GIZ) GmbH, për projektin mbështetja për zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit të bujqësisë në zonat rurale përmes diversifikimit të aktiviteteve,
Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr. 08/L-180 për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit nr.06/L-048 për
Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës,
Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr. 08/L-211 për Verëra,
Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-250 për ndryshime klimatike,
Emërimi i dy (2) anëtarëve të Komisionit të Autoritetit të Konkurrencës të Republikës së Kosovës,
Emërimi i një (1) anëtari në Bordin e Organit Shqyrtues të Prokurimit,
Formimi i Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një (1) anëtar të Komisionit të Pavarur të Mediave, nga radhët e komuniteteve jo shumicë,
Propozimi i grupeve parlamentare për emërimin dhe zëvendësimin e anëtarëve në Komisionin Hetimor Parlamentar në lidhje me rastet e dhunës seksuale dhe dhunës në familje në Republikën e Kosovës,
Propozimi i GP të LVV-së për zëvendësimin e anëtares në Komisionin për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal.








