Kurti priti në takim Ambasadorin e Belgjikës, diskutohet për sulmin terrorist të 24 shtatorit
Në takimin me Ambasadorin e parë rezident të Belgjikës në Kosovë, Gregoire Cuvelier, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e uroi për marrjen e detyrës.
Sipas njoftimit për media, në takim u theksua ngritja pozitive në marrëdhëniet bilaterale mes Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Belgjikës, përfshirë vendimin e Belgjikës për të ngritur përfaqësinë diplomatike në Kosovë në nivel ambasade, si dhe emërimin e ambasadorit të parë rezident, Gregoire Cuvelier.
”Duke vlerësuar marrëdhëniet dypalëshe, të përqendruara në rritjen e bashkëpunimit politik, ekonomik dhe sigurisë, Kryeministri Kurti shprehu gatishmërinë për thellim të mëtejmë të bashkëpunimit. U bisedua lidhur me situatën aktuale dhe sulmin terrorist nga ana e Serbisë më datën 24 shtator në Banjskë. Ambasadori shprehu ngushëllime për policin e rënë në detyrë, Afrim Bunjaku, si dhe uroi shërim të shpejtë policëve të lënduar. Kryeministri gjithashtu shprehu ngushëllime për jetët e humbura nga sulmi në Bruksel”, thuhet në komunikatën e dërguar nga zyra e kryeministrit.
Tutje bëhet e ditur se Kurti falënderoi Ambasadorin Culivier për mbështetjen e Mbretërisë së Belgjikës në rrugën euro-atlantike të Republikës së Kosovës dhe përkrahjen për anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.
Ai tha se Republika e Kosovës shpreson në mbështetjen e Belgjikës edhe tutje, në proceset integruese euro-atlantike, përmbylljen e anëtarësimit në Këshillin e Evropës, kandidaturën për anëtarësim në BE, përfshirjen e Republikës së Kosovës në programin Partneritet për Paqe të NATO-s si dhe anëtarësimin në NATO.
Gjithashtu në takim bëhet e ditur se u theksua fakti që nga 1 janari deri më 30 qershor 2024, Belgjika do të ketë presidencën e Këshillit të Bashkimit Evropian./21Media











