Lëvdata e mirënjohje për kontributin e Policisë së Kosovës në 26-vjetorin e themelimit të saj
Policia e Kosovës ka mbajtur ceremoninë solemne me rastin e 26-vjetorit të themelimit të saj.
Ceremonia ka nisur me një minutë heshtjeje në nderim të 24 zyrtarëve policorë të rënë në detyrë.
Presidentja Vjosa Osmani tha se Policia e Kosovës është mburoja jonë e sigurt gjithmonë, pasi ky institucion i rëndësishëm është i gatshëm t’i përballojë sfidat e ndryshme me dinjitet dhe guxim, dhe se sot feston jo vetëm ditëlindjen e policisë, por edhe rrugën e ndërtuar përgjatë këtyre 26 vjetëve, raporton KosovaPress.
“Sot në 26-vjetorin e themelimit të Policisë së Kosovës, ne kremtojmë historinë e policisë, e cila është histori e kurajës, përkushtimit dhe përballjes me sfidat me të cilët ka kaluar dhe kalon çdo ditë shteti ynë. Policia e Kosovës është ndër shtyllat më të forta të sovranitetit dhe integritetit tonë territorial. Nga ditët e para të themelimit e deri më sot, ju keni dëshmuar se nuk ka rrethanë, nuk krizë dhe nuk ka kërcënim që mund ta lëkundë besnikërinë tuaj gjatë Republikës. Sidomos gjatë viteve të fundit, sidomos në veri të vendit, ju keni treguar profesionalizëm dhe guxim të pashoq duke siguruar rendin dhe sigurinë për qytetarët pa dallim. Ky përkushtim nuk është detyrë ligjore, por akt atdhetarie, sepse çdo uniformë e Policisë së Kosovës është shërbim e shërbim i rendit e dinjitetit tonë shtetëror”, ka thënë Osmani.
Ajo tha po ashtu se Kosova duhet të anëtarësohet në Interpol dhe organizata e tjera ndërkombëtare, teksa ka përkujtuar policët e rënë në detyrë që mbeten roje e përjetshme e lirisë, duke thënë se liria dhe paqja nuk janë dhuratë, por sakrificë e përditshme që çdo pjesë e Kosovës të mbrohet me çdo kusht.
Kryeministri në detyrë i Kosovës Albin Kurti ka premtuar mbështetjen e vazhdueshme institucionale për Policinë e Kosovës si një institucion i besueshëm në ruajtjen e rendit dhe sigurisë për të gjithë qytetarët.
“Sot shënojmë 26-vjetorin e themelimit të Policisë së Kosovës, institucionit më të besueshëm në Republikën tonë së bashku me FSK-në. Ky përvjetor është dëshmi e rrugës sonë së përbashkët si shtet dhe si shoqëri. Mbi shumë sfida, dhe duke shënuar plot arritje, ka qëndruar Policia e Kosovës me besnikërinë e saj ndaj qytetarëve dhe Republikës, e cila ka treguar se është themeli i sigurisë sonë, dhe ne si institucione do të jemi gjithmonë në krah saj duke e mbështetur me të gjitha mjetet. Gjatë këtij viti, policia e Kosovës ka konfirmuar sërish se është e guximshme dhe e palëkundur në punën e saj. Në veri ajo sërish se është e guximshme dhe e palëkundshme në punën e saj, nuk i la shanse krimit, terrorizmit dhe strukturave ilegale të sponsorizuara nga Serbia U kthyen ndërtesa publike të uzurpuara, u çmontuan kompani ilegale, u sekuestruan armë e pajisje ushtarake, krejt këto të arritura falë policëve tanë që tregojnë qartë se epoka e paralelelizmit ka marrë fund. Kosova është një, e pandashme dhe e barabartë për të gjithë qytetarët e saj”, ka thënë ai.
Ai ka folur edhe mbi arrestimet e personave të dyshuar për krime lufte ndaj shqiptarëve gjatë kohës së luftës në Kosovë, teksa ka akuzuar Serbinë se po vazhdon të diskriminojë shqiptarët e Luginës duke mos i integruar në institucionet e sigurisë, duke dëshmuar se mbetet një vend autokrat.
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla tha se integriteti mbetet vlerë themelore për Policinë e Kosovës, e cila ka dëshmuar se është në shërbim të drejtësisë dhe sigurisë së qytetarëve tanë.
“Jam shumë i lumtur që jemi mbledhur sot që të festojmë 26-vjetorin e themelimit dhe zhvillimit të Policisë së Kosovës. 26 vjet më parë, pas përpjekjeve të pareshtura të popullit tonë për liri e çlirim, uniforma e Policisë së Kosovës u kthye në besimin dhe shpresën e qytetarëve tanë në një periudhë kur qytetarët tanë po ballafaqoheshin me sfida dhe pasoja të shumta që la lufta dhe gjenocidi serb në Kosovë. Qe nga ajo kohë policia e Kosovës ka avancuar duke u kthyer në institucionin më të besuar falë punës së saj”, ka thënë ai.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha, ka folur mbi rrugëtimin e këtij institucioni të rëndësishëm të sigurisë për të garantuar rendin dhe sigurinë publike.
“Qe nga dita e parë, Policia e Kosovës u bë simbol i besimit dhe shpresës për ndërtimin e shtetit tonë, duke përfaqësuar të gjitha komunitetet që jetojnë në vendin tonë. Ky zhvillim dhe avancim është rezultat i përkrahjes së vazhdueshme të Qeverisë së Republikës së Kosovës, institucioneve tjera vendore e akterëve ndërkombëtarë për çka ne u jemi mirënjohës përgjithmonë”, ka thënë ai.
Në këtë ceremoni solemne, për punën e madhe dhe kontributin e madh janë dekoruar 27 pjesëtarë të Policisë së Kosovës, dy medalje për shërbim të dalluar, 13 medalje për lavdërim policor, shtatë lëvdata dhe pesë mirënjohje.
Po ashtu është prezantuar monografia kushtuar 26 vjet punë e përkushtim të dalluar të Policisë së Kosovës në shërbim të qytetarëve dhe vendit.
Kujtojmë, me rastin e 26-vjetorit të Policisë së Kosovës janë mbajtur aktivitete të ndryshme policore dhe sportive. Aktivitetet kanë vazhduar me një demonstrim të njësive policore para fëmijëve të grup-moshave të ndryshme shkollore.
Po ashtu, në të gjitha drejtoritë rajonale policore ka qenë porta e hapur, për pritjen e qytetarëve që kanë shprehur interesim për t’i vizituar stacionet policore dhe për t’i takuar nga afër zyrtarët policorë.
Më 6 shtator 1999, Misioni i OSBE-së në Kosovë, ka hapur Shkollën e policisë dhe ka filluar trajnimin e kandidatëve për pjesëtarë të policisë. Gjenerata e parë e kandidatëve për pjesëtarë të PK-së filloi trajnimin më 6 shtator 1999. Kjo gjeneratë numëroi 176 pjesëtarë, të cilët me sukses përfunduan trajnimin dhe filluan ushtrimin e veprimtarisë policore në tërë territorin e Kosovës. Ajo sot ka mbi 10 mijë pjesëtarë, djem e vajza nga të gjitha komunitetet në çdo cep të Kosovës.
Përkushtimi i policisë në shërbim të qytetarëve i bën edhe më të këmbëngulur drejt respektimit të ligjit dhe ofrimit të sigurisë për të gjithë qytetarët e Kosovës, pa dallim me moton e këtij manifestimi të sivjetmë – “Ditë e natë në shërbim, jam emblemë e shtetit tim”.








