Mirëpresin 100 eurot, por studentët kërkojnë që ndihma të jetë për një vit
Qeveria e Kosovës në pakon e re ka përfshirë edhe 80 mijë studentët duke i ndihmuar me nga 100 euro shtesë.
Kjo ndihmë është mirëpritur nga studentët por, nga organizata “Paqja Studentore” në Universitetin e Prishtinës po kërkojnë që kjo kategori e shoqërisë të jetë prioritet për qeverinë.
“Ne e mirëpresim këtë vendim, pasi që do të jetë sadopak një ndihmë e vogël për studentët, pra të paktën pagesë e një muajit për ushqim ose banim. Fatkeqësisht çmimet janë rritur në të gjitha sektorët dhe kjo po i pengon shumë studentët, sidomos shtrenjtimi i biletave të autobusit, ushqimit dhe banimit. “, kanë thënë për portalin rtv21.tv nga kjo organizatë.
Duke i konsideruar studentët si ajkë të shoqërisë Paqja Studentore kërkon ndihmë të vazhdueshme nga qeveria.
“Prandaj, institucionet tona duhet të bëjnë më shumë që të ndihmojnë studentët përgjatë tërë kohës së studimeve dhe jo vetëm për një periudhë të shkurtër. Shuma mund të mbuloj të paktën banimin privat dhe taksat e tjera shtesë, por ne mendojmë që studentët të kenë ndihma të paktën për një vit, pasi që për shumë prej tyre me ritmin e inflacionit, do të jetë e papërballueshme që të vazhdojnë studimet.”, thuhet në përgjigjen e Paqes Studentore.
Ky vendim i qeverisë është mirëpritur edhe nga organizata studentore “Reforma” në Universitetin e Prishtinës.
Nga kjo organizatë për portalin rtv21.tv kanë thënë se ndonëse është e pamjaftueshme shuma prej 100 eurosh prapë se prapë do të ndikojë në financat e studentëve
“Vendimi i sotëm sigurisht që është i mirë për studentët duke e ditur faktin se kjo shumë modeste financiare do i ndihmoj atyre në shpenzimet ditore që kanë.
Sado e pamjaftueshme për t’i mbuluar shpenzimet sidomos për materiale studimore, kjo shumë megjithatë do të ndikoj sadopak në xhepin e studenteve.”, thuhet në përgjigjen e organizatës Reforma”
Kryeministri i Kosovë, t Kurti ka bërë të ditur masat e reja të pakos mbështetëse për qytetarët, ku parashihen nga 100 euro shtesë për pensionistët, punëtorët dhe studentët, kurse për muajin prill pritet të dyfishohet vlera e asistencës sociale./21Media










