RTV21
BallinaKosova
🇽🇰 Kosova

Mosthirrja e seancës, po “blihet” kohë për interesa partiake?

nga B G21 korrik 2026
Mosthirrja e seancës, po “blihet” kohë për interesa partiake?

Mosthirrja e menjëhershme e seancës konstituive nga ushtruesja e detyrës së presidentes,

Albulena Haxhiu, ka hapur debat nëse po respektohet vetëm afati formal kushtetues apo edhe fryma e Kushtetutës. Edhe pse Kushtetuta përcakton që seanca konstituive duhet të thirret brenda 30 ditësh nga certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve, analistët konsiderojnë se pritja deri në ditët e fundit të afatit po krijon pasiguri politike dhe po vonon krijimin e institucioneve të reja.

Ambasadori i karrierës, Albert Prenkaj, vlerëson se mosthirrja e shpejtë e seancës nga u.d. presidentja Haxhiu është një mënyrë për të fituar kohë në funksion të interesave politike të LVV-së.

Albert Prenkaj, ambasador i karrierës

“Është një mundësi për blerje kohe, e cila i mundëson kësaj nomenklature politike, që është në detyrë, të ushtrojë pushtet pa legjitimitet dhe pa legalitet. Shtyrja ka të bëjë me qëllimin e tyre për të keqpërdorur mjetet financiare, respektivisht buxhetin, në disa projekte të tyre, të cilat mund të kenë ndikim në zgjedhjet që mund të mbahen në vjeshtën e vonë.”, tha Prenkaj për rtv21.

Ndërkohë, mundësitë për arritjen e një marrëveshjeje politike para seancës konstituive mbeten të kufizuara. Partitë e ish-opozitës kanë deklaruar se nuk kanë besim te Lëvizja Vetëvendosje për një bashkëpunim institucional, ndërsa tentativa e LVV-së për të krijuar një urë komunikimi me LDK-në është përballur me pengesa.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka ndërprerë diskutimet me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, pas përplasjeve brenda partisë së tij dhe kërkesave për shkarkimin e tij.
Analisti politik, Lutfi Bilalli, është skeptik se ngërçi aktual politik mund të tejkalohet shpejt.

Lutfi Bilalli, analist politik

‘’Kemi hyrë në një fazë ku kemi një paqartësi shumë të madhe.’’, tha Bilalli.

Sipas analistëve, nëse partitë politike nuk arrijnë një kompromis, vendi mund të përballet me zgjedhje të reja parlamentare.

Albert Prenkaj, ambasador i karrierës

“LVV-ja po synon që t’i marrë të gjitha pushtetet.”, shtoi Prenkaj.

“Gjasat janë që vendi të shkojë në zgjedhje nëse nuk ka koordinim mes subjekteve politike.”, tha Bilalli.

Sipas Rregullores së Punës së Kuvendit, në seancën e parë konstituive fillimisht verifikohen mandatet e deputetëve, deputetët japin betimin, zgjidhet kryetari i Kuvendit dhe më pas nënkryetarët e tij.

KRU “Mitrovica”: Punonjësit u përballën me dhunë, ndaj ekipit u përdor armë zjarri
LAJMI TJETËR →
KRU “Mitrovica”: Punonjësit u përballën me dhunë, ndaj ekipit u përdor armë zjarri

Më të fundit

Të gjitha →