(Lajm i përditësuar)
Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka shqiptuar masën e paraburgimit prej 30 ditëve kryeshefit ekzekutiv të KEK-ut, Nagip Krasniqi.
Lajmin për poralin rtv21.tv e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore të Prishtinës, Mirlinda Gashi.
“Gjyqtarja e Procedurës Paraprake kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurin N.K e ka aprovuar dhe të njëjtit i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji”, ka thënë Gashi.
Përfundon seanca, Nagip Krasniqi nxirret i prangosur nga Gjykata
Ka përfunduar seanca për caktimin e masës së sigurisë ndaj Nagip Krasniqi, drejtorit të KEK-ut i arrestur gjatë ditës së djeshme.Prokuroria Speciale e Kosovës, ka njoftuar se ka bërë kërkesë që të caktohet masa e paraburgimit ndaj Nagip Krasniqit, kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), pas arrestimit të tij të mërkurën, nën dyshimin se i njëjti ka kryer tri vepra penale.
Arrestimi i Krasniqit është bërë me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka bërë kërkesë për caktimin e paraburgimit pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Speciale, ndaj të pandehurit me inicialet N.K. për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprat penale ‘’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’ nga neni 414 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK, ‘’Ushtrimi i ndikimit’’ nga neni 424 paragrafi 1 të KPRK-së, dhe veprën penale ‘’Konflikti i interesit’’ nga neni 417 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së”, thuhet në njoftim./21Media











