Osmani në Auschwitz: Kosova e kupton më së miri rëndësinë e unitetit në luftën kundër urrejtjes
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka marrë pjesë të hënën në ceremoninë përkujtimore të 80-vjetorit të çlirimit të kampit të përqëndrimit dhe shfarosjes Auschwitz – Birkenau në Poloni.
Në një postim në Facebook Osmani ka shkruar se si shqiptarët kishin hapur dyert dhe zemrat dhe kishin strehuar hebrenjtë.
“Krahas liderëve botërorë, mora pjesë në ceremoninë përkujtimore. Në këtë kamp të tmerrshëm, mbi 1 milion burra, gra dhe fëmijë polakë e të kombeve të tjera, u internuan, torturuan dhe ekzekutuan në mënyrën më çnjerëzore, vetëm pse ishin hebrenj. Përgjatë kësaj golgote, shqiptarët kishin hapur dyert dhe zemrat, dhe në besë kishin strehuar hebrenjtë në ditët më të errëta të historisë së tyre. Kosova ka kaluar nëpër tmerret e luftës dhe gjenocidit, të kryer nga Serbia, ndaj e kupton më së miri rëndësinë e unitetit të të gjithëve në luftën kundër urrejtjes”, ka shkruar Osmani.
Presidenca ka njoftuar se Osmani në Poloni ka pasur takime me disa liderë botërorë.











