Papa Françesku thotë se i ka ofruar të udhëtojë në Moskë për të takuar presidentin rus, Vladimir Putin për të diskutuar mbi luftën në Ukrainë.
Mirëpo ai ende nuk ka marrë përgjigje.
Papa i tha gazetës italiane, Corriere della Sera se ai i kishte dërguar një mesazh Kremlinit 20 ditë pas pushtimit rus, nëpërmjet kryediplomatit të Vatikanit.
Është hera e parë që Papa përmend Rusinë ose publikisht emëron Putinin që nga fillimi i luftës në Ukrainë më shumë se dy muaj më parë.
Papa tha gjithashtu se kohët e fundit kishte pasur një telefonatë 40-minutëshe me kreun e Kishës Ortodokse Ruse.
”Patriarku Kirill e mbështeti luftën dhe kaloi 20 minutat e para të thirrjes duke lexuar të gjitha arsyetimet për të. Patriarku nuk mund të shndërrohet në djalin e altarit të Putinit”, tha Papa./21Media









