Moti…🇦🇱 SQ🇬🇧 EN🔎 Kërko
RTV21
BallinaKosova
🇽🇰 Kosova

Policia do ta largojë me forcë serbin që iu hoq shtetësia e Kosovës

nga Gentrita Xhemajli14 qershor 2025
Policia do ta largojë me forcë serbin që iu hoq shtetësia e Kosovës

(Lajm i përditësuar)


Policia do ta largojë me forcë serbin që iu hoq shtetësia e Kosovës

Policia e Kosovës ka nisur procedurat e largimit me forcë nga territori i Kosovës të serbit që iu hoq shtetësia e Kosovës për shkak të rrezikimit të sigurisë kombëtare.

Përmes një njoftimi në rrjetin social Facebook, nga policia thuhet se deri në përfundimin e procedurave, Nikola Vujoviqit i është shqiptuar masa e ndalimit në Qendrën e Mbajtjes për të Huaj.

“Bazuar në vendimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme mbi humbjen e shtetësisë me privim, ndaj personit N.V., ish shtetas i Republikës së Kosovës dhe njëkohësisht edhe i Serbisë dhe pjesëtar i inteligjencës së policisë në Serbi, Policia e Kosovës, Drejtoria për Migrim dhe të Huaj, ndaj personit në fjalë ka filluar procedurat për largim me forcë nga vendi ynë. Drejtoria për Migrim dhe të Huaj, ndaj personit të fjalë është duke u zhvilluar procedura bazuar në ligjet që rregullojnë këtë çështje dhe lidhur me këtë ka lëshuar vendimin për largim me forcë të personit N.V., nga territori i Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës. /21Media


Serbia thotë se Kosova ka ndaluar tre pjesëtarë të MPB-së serbe dhe një ish-polic

Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë tha se autoritetet kosovare i kanë ndaluar të shtunën tre pjesëtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë (MPB) dhe një oficer të pensionuar në pikat kufitare, një javë pasi Serbia e arrestoi një ish-polic të Kosovës.

Ajo tha se autoritetet kosovare nuk kanë pasur “asnjë arsye ligjore” për arrestimin e tyre dhe se kjo “është hakmarrje e nxitur politikisht kundër popullit serb”.

Në të njëjtën ditë, ministri i Brendshëm në detyrë i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se e ka privuar nga shtetësia një shtetas të Kosovës nga komuniteti serb, për “cenim të sigurisë kombëtare” të vendit.

Sveçla nuk tregoi nëse Nikolla Vujoviq – pjesëtarë i policisë serbe – është arrestuar dhe nuk dha hollësi të tjera rreth tij.

Në njoftimin e Zyrës për Kosovën përmenden vetëm inicialet e të ndaluarve nga MUP-i serb: N.V., (26 vjeç), M.M., (28), dhe A.M., (36), si dhe M.S., (53), i cili është polic në pension.

Autoritetet kosovare nuk kanë komentuar deri tani rreth këtyre ndalimeve të raportuara.

Për të ndaluarin me inicialet N.V., Zyra serbe tha se autoritetet e Kosovës kanë marrë vendim për “dëbim të kundërligjshëm”.

“Të gjithë ata, së bashku me familjet, jetojnë prej vitesh në mënyrë paqësore në Kosovë dhe detyrat i kryejnë në drejtoritë policore në territorin e Serbisë qendrore. Aktualisht ndodhen në paraburgim”, thuhet në deklaratën e Zyrës serbe.

Ajo shtoi se për “privimin e kundërligjshëm nga liria” do t’i njoftojë përmes kanaleve diplomatike të gjithë përfaqësuesit ndërkombëtarë, si dhe të dërguarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen.

Ndërkohë, ish-pjesëtari i Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, Arbnor Spahiu, u arrestua nga autoritetet serbe më 7 qershor në pikën kufitare ndërmjet Hungarisë dhe Serbisë, derisa po kthehej nga Austria në Kosovë me autobus së bashku me familjen e tij.

Spahiu dyshohet nga autoritetet serbe për “vrasje të rëndë në Banjskë” – ku një grup i serbëve të armatosur sulmoi Policinë e Kosovës në shtator të vitit 2023, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku – tha avokati i angazhuar nga familja e Spahiut, Arianit Koci, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë të premten.

Ai shtoi se si dëshmitarë në rastin e Spahiut, i akuzuar konkretisht për vrasjen e tre sulmuesve serbë që u përleshën me Policinë e Kosovës në fshatin që ndodhet në pjesën veriore të Kosovës, përmenden disa zyrtarë policorë kosovarë.

Koci tha se mbrojtja tashmë ka dorëzuar ankesën ndaj vendimit për paraburgimin njëmujor.

Spahiu aktualisht po mbahet në qendrën e paraburgimit në Suboticë.

Autoritetet kosovare e kanë dënuar arrestimin e Spahiut, ndërsa kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka e ka quajtur “sjellja jonormale të Serbisë” arrestimin e qytetarëve të Kosovës. /rel


I hiqet shtetësia e Kosovës një serbi, shkak rrezikimi i sigurisë kombëtare

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se Serbia ka punësuar shtetas të Republikës së Kosovës brenda institucioneve të saj të sigurisë dhe inteligjencës, duke shtuar se ky akt përbën cenim të sigurisë kombëtare.

Ai tha se për këtë arsye ka marrë vendim për të privuar nga shtetësia Nikola Vujoviqin” për rrezikim të sigurisë sonë kombëtare si pjesëtar i forcave policore të Serbisë”.

“Në kuadër të përpjekjeve sistematike për destabilizim të brendshëm të Republikës së Kosovës, Serbia ka punësuar shtetas të Republikës së Kosovës brenda institucioneve të saj të sigurisë dhe inteligjencës, akt ky në kundërshtim me ligjet tona dhe cenim i sigurisë sonë kombëtare. Duke pasur parasysh qëllimet agresive të Serbisë ndaj Republikës së Kosovës, adresimi institucional i rasteve të tilla është jo vetëm një çështje e rendit ligjor, por një domosdoshmëri për mbrojtjen e rendit kushtetues dhe sovranitetit shtetëror. Bazuar në legjislacionin tonë përkatës për shtetësi, aktet nënligjore dhe rekomandimet e institucioneve përkatëse, sot kam marrë vendim për privimin nga shtetësia e Republikës së Kosovës për Nikola Vujović, për rrezikim të sigurisë sonë kombëtare si pjesëtar i forcave policore të Serbisë”, ka bërë të ditur Sveçla.

Ai tha se nuk do të tolerohet që asnjë shtetas i Kosovës të minojë shtetësinë e saj.

“Nuk mund dhe nuk do ta tolerojmë në asnjë formë cenimin e sigurisë kombëtare të Republikës së Kosovës nga kushdo qoftë. Kosova është vendi i gjithë shtetasve tanë dhe nuk do të tolerohet që asnjëri të bëhet instrument i minimit të shtetësisë së saj. Institucionet tona mbesin të përkushtuara për ruajtjen e rendit dhe sigurisë”, tha Sveçla.

Ronaldo ndjek historinë, Anglia sfidon Kroacinë në Kupën e Botës
LAJMI TJETËR →
Ronaldo ndjek historinë, Anglia sfidon Kroacinë në Kupën e Botës

Më të fundit

Të gjitha →