Prokuroria Themelore në Pejë jep detaje nga rasti i të dyshuarit për vrasjen e bashkëshortes në Pejë
Prokuroria Themelore në Pejë është në fazën finale të procesit hetimor në rastin ku Edmond Lajqi dyshohet se ka vrarë gruan e tij në prill të këtij viti në qytetin e Pejës.
Këtë e ka bërë të ditur për portalin rtv21.tv zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, i cili tha se janë në pritje të analizave të ADN-së nga Agjencia e Kosovës për Forenzikë.
“Prokuroria Themelore në Pejë, lidhur me rastin e vrasjes se rëndë, i ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore dhe jemi në fazën finale të procesit hetimor. Prokurorja e çështjes, nga data 29 prill 2024, ka urdhëruar Agjencionin Kosovar të Forenzikës, për analiza të ADN-së dhe përkundër disa kërkesave të vazhdueshme nga prokurorja e shtetit, ky institucion ende nuk ka kthyer rezultatet e kërkuara”, tha Nikqi për portalin rtv21.tv
Kujtojmë se më 16 prill 2024, një grua ishte vrarë në rrugën “Bill Clinton” në qytetin e Pejës, ku i dyshuari (bashkëshorti i saj) ishte arrestuar dhe më pas i ishte caktuar masa e paraburgimit, masë nën të cilën vazhdon të jetë ende. /21Media








