Jemi vetëm në javët e para të verës. Gati një e treta e amerikanëve – mbi 113 milionë njerëz – janë të paralajmëruar për rrezikun e motit të nxehtë, ka thënë Shërbimi Kombëtar për Motin në Shtetet e Bashkuara, shkruan BBC.
Në SHBA, temperaturat pritet të shënojnë rekord të ri. Në El Paso dhe Teksas, temperaturat kanë qenë mbi 37 gradë Celsius për 27 ditë me radhë, duke e tejkaluar rekordin e vitit 1994.
Në Mbretëri të Bashkuar, i nxehti i qershorit jo vetëm që ka thyer rekorde, por i ka tejkaluar bindshëm temperaturat paraprake.
Qershori i këtij viti ka qenë 0.9 gradë Celsius më i nxehtë sesa në të kaluarën.
Situatë e ngjashme raportohet edhe në Afrikën e Veriut në Lindje të Mesme dhe Azi.
Prandaj nuk ka qenë befasi që qershori është shpallur viti më i nxehtë ndonjëherë në histori.
Dhe ai i nxehtë nuk është zbehur. Tri ditët më të nxehta ndonjëherë janë regjistruar javën e kaluar, sipas Shërbimit të Bashkimit Evropian për Klimë dhe Mot, Copernicus.
Temperatura mesatare në botë e ka prekur shifrën 16.89 gradë Celsius më 3 korrik dhe e ka tejkaluar shifrën 17 gradë për herë të parë më 4 korrik, me një mesatare globale prej 17.04 gradë Celsius.
Më pas, më 5 korrik është regjistruar temperatura 17.05 gradë Celsius.
Këto temperatura përputhen me modelet klimatike që veçse janë parashikuar, ka thënë profesori Richard Betts, shkencëtar për klimën në Universitetin Exeter.
“Ne nuk duhet të befasohemi nga temperaturat e larta në botë”, ka thënë ai, shkruan BBC
“Ky është një përkujtues, për të cilin kemi dëgjuar që një kohë të gjatë, dhe ne do të jemi dëshmitarë të motit edhe më të nxehtë, derisa të ndalojmë së lëshuari më shumë gazra serrë në atmosferë”.
Dhe ne e kemi parë që temperaturat e oqeaneve kanë shënuar rekord në pranverë dhe verë të këtij viti.
Shembull, në veri të Atlantikut, temperaturat aktualisht janë më të lartat ndonjëherë.
Administrata amerikane për Oqeane dhe Atmosferë e ka vendosur këtë valë të të nxehtit në kategorinë e katërt.
Një kategorizim i tillë përdoret rrallë jashtë vendeve tropikale dhe konsiderohet “i nxehtë ekstrem”.
Kësaj situate është duke i kontribuuar edhe fenomeni El Nino, që është aktiv në Paqësor.










