Rruga Prishtinë – Ferizaj vazhdon të jetë e bllokuar, Durmishi me apel për vozitësit
Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, bën të ditur se reshjet e shiut dhe borës kanë shkaktuar grumbullim uji dhe rrëshqitje dheu në disa segmente rrugore në vend, derisa ekipet janë angazhuar me të gjitha kapacitetet për të larguar pengesat dhe për të siguruar qarkullim sa më normal.
Sipas Durmishit, në rrugën Prishtinë–Ferizaj vazhdon të ketë bllokim si pasojë e sasisë së madhe të ujit të grumbulluar në rrugë, e cila është shkaktuar nga kyçjet ilegale në kanalet e ujërave atmosferike.
Ai theksoi se pas reshjeve të shiut kanë nisur reshjet e borës dhe se gjatë natës pritet që temperaturat të zbresin nën zero, gjë që mund të shkaktojë ngrica në rrugë.
“Në rrugën Prishtinë – Ferizaj, ende kemi bllokim si pasojë e sasisë së madhe të ujit të grumbulluar në rrugë, e shkaktuar nga kyçjet ilegale në kanalet e ujërave atmosferike. Pas reshjeve të shiut kanë filluar reshjet e borës dhe temperaturat gjatë natës pritet të jenë nën zero, çka mund të shkaktojë ngrica në rrugë.Ekipet tona janë të angazhuara në pastrimin e të gjitha rrugëve që janë në kompetencën tonë”, shkruan Durmishi në Facebook.
Durmishi u ka bërë thirrje qytetarëve që të vozisin me kujdes të shtuar dhe t’i përshtaten kushteve të rrugës.









