Situata me zjarret, Osmani: Institucionet janë të mobilizuara
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani tha se institucionet e Kosovës janë të mobilizuara për të ofruar ndihmën e nevojshme në situatën aktuale me zjarret. Ajo tha se Forca e Sigurisë së Kosovës është në gjendje gatishmërie të plotë dhe e gatshme të ofrojë mbështetje të menjëhershme në rast se kërkohet nga autoritetet komunale apo ato qendrore për emergjencat civile.
Osmani, përmes një reagimi në Facebook, tha se komuna të shumta po përballen me vatra të shumta zjarri që po shkaktojnë dëme të konsiderueshme materiale dhe mjedisore.
“Situata është sfiduese dhe kërkon reagim të koordinuar dhe të menjëhershëm nga të gjitha nivelet. Në këto momente, shpreh solidaritetin tim të plotë me të gjithë qytetarët e prekur, me fermerët që po humbin frytet e mundit dhe djersës së tyre, si dhe me ekipet emergjente që po punojnë pa u ndalur për t’i vënë nën kontroll këto zjarre”, tha Osmani.
Ajo falënderoi zjarrfikësit, për punonjësit e emergjencës dhe të gjithë vullnetarët që janë në vijën e parë të përballjes me flakët.
“U bëj thirrje të gjithë qytetarëve që të tregojnë kujdes të shtuar, të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr, dhe të raportojnë menjëherë çdo vatër të dyshimtë tek autoritetet përkatëse. Vetëm me përgjegjësi kolektive mund ta parandalojmë përhapjen e mëtejshme të zjarreve”, tha Osmani.
Në ditët e fundit është raportuar për dhjetëra zjarre në pjesë të ndryshme të Kosovës. Gjithashtu sot, më 26 korrik, në rrjete sociale janë shpërndarë video të ndryshme që treguan për zjarre.
Drejtori ekzekutiv i Agjencisë së Menaxhimit Emergjent, Genc Metaj, tha përmes një postimi në Facebook, se zjarrfikësit në të gjithë vendin janë duke intervenuar për të shuar zjarret.
“Ne këto momente, vendi po përballet me disa vatra te rrezikshme te zjarreve. Zjarrfikësit ne te gjithë vendin janë duke intervenu me vetëmohim për të lokalizuar dhe shuar zjarret. Terenet e vështira, paraqesin vështirësi për intervenim”.
Ai ka kërkuar nga qytetarët që të mos ndezin zjarre dhe të bashkëpunojnë me organet e rendit./








