(lajm i përditësuar)
Vuçiq: Ukraina do të humbë gjithçka, nëse e njeh Kosovën
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se Ukraina do të humbë gjithçka që ka brenda ditës, nëse e njeh pavarësinë e Kosovës.
“Pas kësaj, si mund të thotë ajo se i përmbahet ligjit ndërkombëtar?” tha Vuçiq më 8 gusht.
Ai shtoi se Ukraina është një shtet mike e Serbisë, dhe se nuk ka telashe në marrëdhëniet mes dy vendeve.
Vuçiqi i bëri këto komente gjatë një konference të përbashkët për media me kryeministren e Serbisë, Ana Bërnabiq, në Beograd, ku iu përgjigjën pyetjeve rreth një letre të deputetëve nga vendet e Bashkimit Evropian (BE) dhe Shtetet e Bashkuara, të cilët kërkuan masa më të rrepta ndaj Serbisë.
Më 7 gusht, dhjetëra politikanë nga Evropa dhe Shtetet e Bashkuara ia dërguan një letër zyrtarët të lartë të BE-së dhe Uashingtonit, duke iu kërkuar ta ndryshonin qasjen ndaj Kosovës dhe Serbisë.
Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, por me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, Beogradi dhe Prishtina janë në bisedime për normalizimin e marrëdhënieve.
Vuçiq tha se letra e deputetëve evropianë dhe amerikanë “nuk është kundër meje, por kundër Serbisë.”
“Unë jam krenar që Alicia Kearns dhe Bob Menendez më sulmojnë mua, por jam krenar edhe kur e shoh se emrat që ishin më parë nuk janë më aty”, shtoi Vuçiq.
“Në Ukrainë po rriten zërat për njohjen e pavarësisë së Kosovës”
Ambasadori i Ukrainës në Serbi, Volodymyr Tolkach, ka thënë të martën se në shoqërinë ukrainase po rriten zërat gjithnjë e më shumë për njohjen e pavarësisë së Kosovës, dhe se një numër i caktuar i deputetëve në Parlamentin e Ukrainës po e përkrahin qëndrimin për njohjen e mundshme të Kosovës.
Megjithatë, Tolkach theksoi se qëndrimi i Ukrainës për njohjen e Kosovës mbetet i pandryshueshëm, për shkak se çështja e “krijimit dhe zbatimit të politikës së jashtme në përputhje me legjislacionin ukrainas i takon presidentit të Ukrainës”.
Ukraina nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, e shpallur në shkurt 2008.
Tolkach i bëri këto komente pas një interviste të kryetarit të Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit ukrainas, Oleksandr Merezhko, për kanalin T7 në Kosovë.
Merezhko kishte thënë më 7 gusht se “njohja e Kosovës nga Ukraina po diskutohet në Kiev.”
Në një komunikatë për media më 8 gusht, Tolkach nënvizoi se “është në veçanti e rëndësishme për Ukrainën që t’i respektojë dhe të sigurohet për mbrojtjen e normave të ligjit ndërkombëtar nga të gjitha shtetet, posaçërisht sa i përket integritetit territorial dhe pacenueshmërisë së kufijve shtetërorë të njohur ndërkombëtarisht”.
“Qëndrimi i Ukrainës është parimor dhe i qëndrueshëm – Ukraina e respekton integritetin territorial të Serbisë”, thuhet në komunikatën e ambasadorit Tolkach.
Por, Toklach tha se lidershipi i Kosovës “ka marrë qëndrim të qartë për dënimin e agresionit rus ndaj Ukrainës, posaçërisht duke e sanksionuar agresorin”.
Ai e pranoi se nuk është befasi se zërat po rriten gjithnjë e më shumë në shoqërinë ukrainase në përkrahje të njohjes së pavarësisë së Kosovës.
“Ukraina, si vend demokratik i cili e respekton lirinë e fjalës, nuk mund ta kufizojë shprehjen e mendimit të politikanëve të tjerë, të rrethit profesional apo publikut”, theksoi ai.
Tolkach nënvizoi se Serbia, megjithëse deklaron mbështetjen për Ukrainën, po zhvillon dialog aktiv politik dhe bashkëpunim ekonomik me Rusinë.
“Prandaj, ne përsëri i bëjmë thirrje Serbisë, kandidatit për anëtarësim në BE, ta harmanizojë politikën e jashtme, veçanërisht sa i përket agresionit të Federatës ruse kundër një vendi të tjetër kandidat – Ukrainës, në përputhje me qëndrimin e përbashkët të familjes evropiane”, tha Tolkach.
Ambasada e Ukrainës në Beograd i ka bërë thirrje Serbisë në të kaluarën t’i bashkohet sanksioneve kundër Rusisë, për shkak të pushtimit të Ukrainës. /REL











